I ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24, analisti Fatos Lubonja tha se opozita duhet të këtë një vizion për të ngjallur shpresë tek populli. Sipas tij, jo mitingjet ku lideri flet në TV, por takimet e tij me anëtarët e partisë, dëgjimi i halleve dhe problemeve tëkëtyre të fundit, mund ta çojnë atë drejt suksesit.

“Politika te ne është bërë shfaqje, lideri del dhe i flet popullit që mblidhet. Njerëzit duhet të mblidhen për problemet që kanë, të diskutojnë si ti zgjidhin. Lideri shkon atje dhe mblidhet bashkë me ta. Kjo është puna kryesore që duhet të bëjë lideri, t’i mbledhë jo të dalë çdo ditë në tv. Ajo shpresa që pyesni ju ndërtohet më mirë kështu nuk po them që nuk duhen këto takimet mitingjet, por duhen takime pune ku njerëzit shprehen dhe ndjehen pjesë e partisë, japin mendime. Kjo është edhe jeta politike ku ti bëhesh pjesë. Kjo mungon te ne dhe si kulturë”, tha Lubonja.

Sa për zgjidhjen e krizës politike, analisti u shpreh se një gjë e tillë i intereson më shumë Ramës se sa Bashës. Është kryeministri personi që ka më shumë interes të rindërtojë fasadën, u shpreh ai.

“Ajo që tha Basha ishte e qartë. Ato që thotë Rama nga ana tjetër janë të qarta. Janë dy korsi që përjashtojnë njëra-tjetrën. Basha thotë: Ne me këta nuk bashkohemi, këta duhen shporrur. Rama thotë: Ata dolën vetë nga Parlamenti. Ne do vazhdojnë punën. Ne e quajmë zgjidhje kur këta të ulën tek Krokodili apo Peshkaqeni, apo të hanë ngjala. Pra, ky është momenti i rindërtimit të fasadës. Ramës i intereson të rindërtojë fasadën më shumë. Opozita e ka hequr veten vetë nga fasada. Kjo krizë nuk e di si zgjidhet. Opozita për momentin ka vendosur ta lërë pa fasadë. E ka opozita detyrën kryesore të imponohet gjithnjë e më shumë. Rruga nuk e di sa e gjatë do jetë”,- u shpreh analisti.

I pyetur në lidhje me një skenë protestash në Mal të Zi dhe Serbi, ku peshën kryesore po e mban Shoqëria Civile, Lubonja tregoi ndryshimin e tyre me Shqipërinë.

“Ne s’kemi Shoqëri Civile ndryshe nga ata. Shoqëria Civile atje ka traditë më të gjatë se sa ne. Këtu ka qënë Shoqëri civile me rrënjët lart, e ushqente Europa s’kishte lindur nga terreni”,- vijoi ai.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb