Partia Zgjidhja mbështet thirrjen e studiuesit të njohur Aurel Plasari për krijimin e një fronti opozitar dhe për nënshkrimin e një kontrate të përbashkët “Proteatër”.

Zgjidhja është e gatshme ta nënshkruajë menjëherë. Ajo fton partitë politike, shoqatat, organizatat, grupimet dhe individët që vijojnë të protestojnë kundër prishjes së Teatrit Kombëtar t’i bashkohen propozimit të Aurel Plasarit.

“Votat e deputetëve të partisë Zgjidhja, që do të jenë pjesë e Kuvendit të ardhshëm të Shqipërisë që do të dalë nga zgjedhjet e lira dhe të barabarta, do t’i bashkohen vullnetit të kësaj kontrate për të zhbërë votimin e projektligjit për teatrin më 5 korrik 2018, si antikushtetues dhe antiligjor.

Kush shkel ligjin sot, do të paguajë nesër, ndaj çdo kullë që do ngrihet mbi truallin publik të Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental do të rrëzohet, ndërsa ndërtuesi do të detyrohet ta dëmshpërblejë prishjen e teatrit”, deklaron Zgjidhja.

Kjo parti fton shoqatat, organizatat, grupimet, individët, partitë opozitare parlamentare, veçanërisht PD dhe LSI që të firmosin këtë kontratë të përbashkët “Proteatër” të propozuar nga studiuesi Plasari.
“Paligjshmëria në këtë vend do të marrë fund vetëm kur të vendosen zgjedhjet e lira dhe të barabarta”, deklaron Zgjidhja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: