POLONI- Në sallën e operacionit mbizotëronte vetëm heshtja dhe përqendrimi ishte në maksimum. Momenti ishte shumë delikat, Iga Jasica, një bukuroshe 19-vjeçare polake, po bënte një ndërhyrje të vështirë kirurgjikale për heqjen e një tumori në tru, nga ku ishte në rrezik jeta e saj.
Heshtja është thyer papritur pikërisht nga Iga, e cila i befasoi mjekët me daljen nga narkoza. Në një moment ajo ka kërkuar informacione mbi ndërhyrjen. “Si po shkon?”, ka pyetur ajo.

Efekti i anestezisë kishte përfunduar dhe Iga ishte zgjuar me trurin “e ekspozuar”. Për fat të mirë, kirurgët e spitalit qendror në Katovice, qytet në jug-perëndim të Polonisë, arritën të ruajnë gjakftohtësinë, duke vazhduar operacionin, ndërsa bisedonin me vajzën.

Sipas ekspertëve, operacioni mund të ketë provokuar ndonjë mekanizëm që ka zgjuar të renë, pavarësisht nga anestezia. Megjithatë, mjekët kanë hapur një hetim të brendshëm për të kuptuar nëse anestezia i ishte bërë në mënyrë korrekte.

“Pavarësisht nga gjithçka, vajza nuk ndjeu asgjë dhe nuk ishte asnjëherë në rrezik”, ka komentuar neurokirurgu Dawid Larysz.

Iga nuk e kujton mirë se çfarë i ndodhi, por tani ndihet shkëlqyeshëm.

“Nuk kujtoj shumë. Doktori më tha se gjatë operacionit biseduam për macet, që unë i dua shumë. Nuk munda të festoj Krishtlindjet me familjen time për shkak të këtij operacioni, por mora dhuratën më të bukur që mund të kisha ndonjëherë, sepse tani jam shumë mirë”, tha ajo pak ditë pas operacionit.

(ma.ar/tg/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb