Minuta e 55-të e ndeshjes Shqipëri-Turqi. Hakan Çalhanoglu merr topin në mesfushë dhe për pak sa nuk e humb. Pikërisht ajo zgjatje e sferës nxjerr jashtë loje prapavijën shqiptare. Një tjetër finte dhe numri 10 e gjen veten në buzë të zonës së rreptësisë, nga ku shkarkon të djathtën.

Gol për miqtë që kryesojnë 0-2 dhe sfida praktikisht mbyllet. Lëvizja dhe ekzekutimi janë të përsosur, por Xhenaro Gatuzo pret t’i shohë të tilla virtuozizma nga Hakan Çalhanoglu edhe kur të ketë fanellën e Milanit. Me Suson e fikur, shpresat e Milanit për Champions kalojnë te Kristof Piontek.

Deri më tani, polaku ka shënuar 8 nga 16 golat kuqezi për vitin 2019. Duhet edhe kontributi i të tjerëve, ndryshe vendi i katërt në Serinë A do të jetë në rrezik. Rino thotë gjithnjë se numri 10 i “Djallit” mund të shembë porta, por në 35 ndeshje sezonale  ai e ka bërë këtë vetëm dy herë (Dudelanzh dhe Atalanta). Këtë sezon Çalha ka dhënë 13 pasime vendimtare, por kontributi i tij direkt te realizimet e ekipit ka qenë i paktë.

Vjet në këtë kohë turku u “zgjua” nga letargjia dhe e mbylli sezonin me 6 gola në kampionat, katër të cilët në 10 javët e fundit. Afati është i njëjtë, me Çalhanoglun që thirret të kontribuojë për kauzën kuqezi në muajt më delikatë. 10 për 10 Te Turqia, Çalhanoglu është një pikë e palëvizshme e formacionit. Fillimisht me Mircea Luçeskun e tashmë me Senol Gynesh, 24-vjeçari bën të njëjtin rol si te Milani në kombëtaren e vendit të tij.

Debutues në moshën 19-vjeçare nën drejtimin e Fatih Terimit, të shtunën në Shkodër Çalhanoglu zhvilloi ndeshjen e tij të 40-të me fanellën e Turqisë. Goli i dytë i sfidës u shënua pikërisht nga fantazisti, që festoi kështu në mënyrën më të mirë këtë arritje. Ai ndaj Shqipërisë ishte goli i tij i dhjetë në përfaqësuese.

Në total ka qenë në fushë me fanellën e vendit të tij për 2823 minuta, teksa ka dhënë edhe tri asiste. Siç shihet, raporti gola-asiste me Turqinë është i ndryshëm, pasi për atdheun ai shënon më shumë. Pikërisht këtë trend Gatuzo shpreson që lojtari ta transferojë edhe te Milani, duke qenë se në dhjetë ndeshjet e mbetura, kuqezinjtë luajnë pjesën më të rëndësishme të sezonit. Nesër ndaj Moldavisë, Turqia do të luajë në Eskisehir, me sytë e Rinos që do të jenë përsëri në paraqitjen e Çalhanoglusë.//PanoramaSport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb