“Anjeza nuk u zgjua” është një libër që zgjon plotësisht mendimet e fjetura të mpira të një shoqërie që do të jetojë por nuk di si.”- kështu shkruan ish-deputetja Grida Duma në një postim në facebook, lidhur me librin më të ri të shkrimtarit Prec Zogaj.

“Pasi kam lexuar një pjesë të madhe të veprës së tij, mendoj që rrallëkush mund ta bënte politikën shqiptare politologji. Preç Zogaj e ka lartësuar me tisin e figuracionit dhe metaforës letrare historinë politike të këtyre 30 viteve. Jo domosdo politika bëhet histori, e shkruar nga Zogaj mund të lexohet si e tillë apo si fenomenologji.” shrkuan Duma.

Postimi i plotë:

“Nëse jep betejë në llucë do të fitojnë derrat”; kur e dëgjova këtë frazë nga Zogaj e cila u ndërkall me të tjera arsyetime politike, një mendim kthjellues më foli vetë, pas kësaj Preçi do të kishte gjithë vëmendjen time të përqendruar. Madje do kishte vëmëndje të shtuar pikërisht atëherë kur ai ul tonin e zërit ndërsa zhurma akustike e debatit shkon kreshendo.

Shpesh ka qenë habi gati fenomenologjike, se si ky njeri ndërsa të gjithë përpiqen që me mujtje vokale të fitojnë betejën e argumentit, ul tonin e zëri të vet gjithnjë e më shumë. Jo rrallë më pas më ka kapur veshi nga dëgjues të zakontë, reagimin revoltues të tyre se “përse ai nuk bërtet më shumë, pse nuk i “mbyt” në debat por është i butë edhe kur ka aq të drejtë”. Është mjeshtri e tij në teknikë, unike, që zgjon revoltën nga zbutja. E them pa droje që i admiroj ato korda të mendimit që ulërasin si dialektikë, ulërasin piërisht kur toni ulet. Preçi e luan këtë si një solist master.

Zogaj është një individ i një soji apo “rrace” tjetër. Nuk besoj se këtë e ka nga tradita e fisit, besoj që ai është individi që e ka shenjuar vetmisht rrugën e vet. Si shkrimtar edhe po mos të shkruante më asgjë më shumë, tashmë e ka të shenjuar. Preç Zogaj do lexohet shumë më shumë në kohë të ardhshme.

Pasi kam lexuar një pjesë të madhe të veprës së tij, mendoj që rrallëkush mund ta bënte politikën shqiptare politologji. Preç Zogaj e ka lartësuar me tisin e figuracionit dhe metaforës letrare historinë politike të këtyre 30 viteve. Jo domosdo politika bëhet histori, e shkruar nga Zogaj mund të lexohet si e tillë apo si fenomenologji.

E pasi kam lexuar edhe poezinë dhe prozën e tij, mendoj që vepra e tij letrare duhet të jetë një lexim i detyruar edhe në shkollat politike, jo si e vërteta fundore, por si një formim kuptimor dhe mendor.

E nisa me metaforën e betejës në llucë, të dëgjuar në atë bisedë miqësore; do e mbyll duke ju cituar shumë pak nga libri i tij i fundit që shenjon derrkucët e këtyre kohërave dhe se si mëkatet bëhen zgjidhje:

“Anjeza nuk u zgjua” .

“…Të katër shokët e kishin lënë të shkonin të nesërmen herët në pazarin e Milotit për të blerë derrkucë të vegjël. Kohët e fundit ishte vënë re një rënie e dukshme e vigjilencës antiderr, drejtuesit e partisë dhe pushtetit mbyllnin një sy e vetëm me fjalë nuk e thoshin “le ti mbajnë, përderisa nuk ua sigurojmë mishin që premtuam”. Derrmbajtja po shtrihej fshat më fshat e gangsterrët kishin menduar të bënin pak lekë në tregun e zi. …Solidariteti me vuajtjen e supozuar të Davidit, ja kishte zvogëluar si me dorë vuajtjen e tij …”

ANJEZA NUK U ZGJUA është një libër që zgjon plotësisht mendimet e fjetura të mpira të një shoqërie që do të jetojë por nuk di si.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb