TIRANE

Teksa kryetari i PD-së pyetej në Prokurorinë e Tiranës mbi fondet e shpenzuara gjatë fushatës për lobim në Shtetet e Bashkuara, socialisti Alket Hyseni kërkoi shpjegime në Komisionin e Ligjeve, nga kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Klement Zguri, mbi hetimet e këtij institucioni mbi transparencën e financave të partisë më të madhe opozitare. Hyseni përmendi dyshimet, sipas të cilave PD ka përftuar financime të dyshimta ruse.

Pyetjes së ligjvënësit socialist, kryekomisioneri Zguri iu përgjigj duke theksuar se është kërkuar një hetim i thelluar, i cili është refuzuar të miratohet nga anëtarët e KQZ të propozuar nga të majtët.

Në raportimin vjetor për aktivitetin e KQZ-së përgjatë vitit 2918, duke marrë shkas nga kriza politike, Zguri kërkoi ndihmën e Kuvendit për të garantuar standardet më të larta në zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

“Përplasja politike me shumë gjasë nuk do e lë KQZ pa e përfshirë në vorbullën e vet në organzimin e zgjedhjeve lokale. Për këtë Kuvendi duhet ta mbrojë KQZ-në. Zgjedhjet meritojnë një administratë të fortë dhe profesionale. Që zgjedhjet lokale të jenë me standarde Kuvendi duhet të mbështesë komisionin, sepse mund të kemi nevojëpër ndihmën tuaj” u shpreh ndër të tjera Zguri.

Gjatë raportimit, Zguri kritikoi qasjen e partive politike, në përmbushje të detyrimeve të tyre për procesin zgjedhor. Sipas tij, partitë i dërgojnë me vonesë propozimet e tyre për komisionerë dhe i ndryshojnë komisionerët në mënyrë të vazhdueshme, duke ndikuar negativisht në standardet e zgjedhjeve.

“Partitë poltike i sjellin me vonesë propozimet për komisionerë dhe i ndryshojnë, gjë që hedh dyshime mbi administratën zgjedhore, cënon funksionimin e KZAZ-ve, cënon procesin e numërimit të votave duke vonuar nxjerrjen e rezultateve, cënon procesin zgjedhor” u shpreh Zguri, ndërsa kërkoi nga partitë t’i japin fund një sjelljeje të tillë.

Zguri u ndal më tej edhe në procedurën e ligjit për dekriminalizimin për të cilin u shpreh se nga nisja e funksionimit të ligjit, KQZ ka marrë 166 vendime për dekriminalizimin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb