KUKËS- Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Kukës ka arrestuar një punonjës policie me akuzën për ‘shpërdorim detyre’. Kjo pasi një ‘incident’ i dyshimtë ka ndodhur brenda Komisariatit të policisë në Has.

Në pranga është vënë punonjësi i policisë Shaban Bera, 54 vjeç, me detyrë Kujdestar-Magazinier, pranë Komisariatit të Policisë Has.

Arrestimi i tij u bë pasi akuzohet për veprën penale “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën ”.

Nga inspektimi i kryer nga Specialistët e Drejtorisë së Inspektimit të SHÇBA-së, në ambientet e magazinës së armatimit të Komisariatit  të Policisë Has, u konstatua se mungonin 3 pistoleta, 210 fishekë, si dhe mosrakordim të numrit serial të një pistoletë thikë.

Pas kryerjes së veprimeve paraprake hetimore materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës për veprime të mëtejshme.

Një rast i ngjashëm është evidentuar në muajin Shkurt 2016 nga ana e strukturave të SHÇBA-së, ku është arrestuar për të njëjtën vepër penale magazinieri i Drejtorisë së Policisë Kukës, Përparim Dauti pasi gjatë kontrollit mungonin 12 000 fishekë në magazinë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: