Një rast urgjent për ndihmë ka mbërritur në redaksinë e emisionit “Me zemër të hapur” të autores dhe moderatores Evis Ahmeti në News24. I riu nga Vlora, Dhimo Dhimaj ka humbur kontaktet me familjen mëngjesin e datës 2 tetor dhe që prej 5 ditësh nuk dihet asgjë për fatin e tij.
Kushëriri i tij i parë ka ngritur alarmin për zhdukjen e 31-vjeçarit, teksa shprehet se Dhimo punonte kamerier te një lokal i njohur në Vlorë.
“Ai nuk është një njeri problematik. Është punëtor, i qetë dhe shumë i sjellshëm”, tha kushëriri i të riut. Ai kërkon ndihmë dhe apelon se kushdo që ka një informacion apo e sheh diku të njoftojë familjen.
Ndërkohë në emision ka ardhur telefonata e një personi nga Vlora, i cili tha se një person i identifikuar si Armand, i ka kërkuar para borxh në emër të 31-vjeçarit.
“Një Armand më ka kërkuar 1 mln lekë borxh në emër të Dhimos”, tha telefonuesi, por familjarët deklaruan se nuk e njihnin dhe nuk kishin dëgjuar kurrë për të.
Emisioni arriti të lidhej me personin e përmendur nga qytetari nga Vlora, Armandi, i cili mohoi të kishte kërkuar para borxh dhe as që kishte komunikim me 31-vjeçarin e zhdukur.
“Unë kam vite që nuk e kam parë Dhimon. Kam qenë në Gjermani, ka një vit që jam kthyer. Nuk kam komunikim fare me të. E kam parë në rrjetet sociale para 2-3 ditësh lajmin që është zhdukur. Nuk kam kërkuar asnjë lekë borxh në emër të Dhimos. Nuk e kam idenë, unë jam në punë. Unë jam familjar dhe po shqetësohem për gjëra koti. Edhe mua më vjen gjynah se ai personi që keni ju aty, Ergysi, unë e kam mik familjar”, tha Armandi.
(BalkanWeb)