Nga: KLODIANA HAXHIAJ*
DURRES- Dy motrat, Orialda dhe Klevisa Kajtazi, 18 dhe 14 vjeçe, dyshohet se kanë përfunduar në lokalet e natës, si kameriere, shoqëruese apo si striptiste. Burime nga policia e Durrësit, dje bënë me dije se janë duke verifikuar të gjithë numrat e telefonit me të cilët kanë pasur kontakt dy vajzat para zhdukjes misterioze të tyre, mesnatën e 15 korrikut. Sipas hetuesve të çështjes, një telefonatë që ka zgjatur 4 minuta rreth orës 23:00 të mbrëmjes së 15 korrikut, midis vajzave dhe një gruaje, ndërsa prindërit dhe motra e madhe gjendeshin në Spitalin e Traumës, mbetet kyçi i kësaj historie. “Nuk jemi të sigurt, por dyshojmë se një grua në moshë i ka instruktuar vajzat për të bërë të gjitha veprimet e për t’u zhdukur pa lënë gjurmë nga shtëpia”, thanë burimet policore. Madje, policia dyshon edhe për informacionin e mbërritur ditët e fundit, se vajzat janë në Durrës, në lokalet e natës, dhe drejtohen nga një tutore në moshë. “Po bëhet çdo verifikim. Punonjës policie, civilë, madje edhe agjentë, janë hedhur në terren për të verifikuar të gjitha lokalet e natës që ushtrojnë aktivitetin e tyre në vijën bregdetare”, pohuan burimet pranë grupit hetimor. Por, ky informacion, sipas policisë kërkon më së shumti të largojë vëmendjen nga destinacioni i dy motrave Kajtazi, të cilat mund të jenë larguar jashtë vendit. “Ka indicie se në lokalet me muzikë në qytete të ndryshme të Maqedonisë dhe Kosovës ka oferta shumë të mira pune për vajza që duan të punësohen si balerina dhe këngëtare. Nisur nga ky fakt, ne u kemi kërkuar ndihmë policive të vendeve fqinje për identifikimin e Orialda dhe Klevisa Kajtazit. Fotot e dy motrave i kemi dërguar në të gjitha pikat kufitare, por edhe në vendet fqinje, me qëllim identifikimin e tyre”, deklaruan burimet e mësipërme. Pavarësisht kërkimeve intensive, deri tani nuk ka asnjë gjë konkrete për gjetjen e dy vajzave të familjes Kajtazi. Ndërkohë, hetuesit janë të bindur se dy motrat janë manipuluar nga një person shumë më i madh në moshë, se çdo ditë e më shumë që kalon, gjetja e tyre bëhet edhe më e vështirë. Kjo, sepse vajzat mund të trafikohen, mund të drogohen, apo të ushtrohet dhunë ndaj tyre, nëse ato kërkojnë që të rikthehen në banesën e tyre, nga ku u larguan pa adresë 24 ditë më parë. Mësohet se vajzat u hidhnin vazhdimisht prindërve një medikament që quhej “loram” e i vinin në gjumë, dhe më pas frekuentoheshin me njerëz të panjohur gjatë natës. Dy motrat Kajtazi, dyshohet se më 15 korrik helmuan motrën e madhe dhe prindërit e tyre për herë të fundit dhe se i kanë vënë flakën shtëpisë e më pas kanë grabitur një shumë prej 5 milionë lekësh të vjetra, kursime të familjes.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: