Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja e rëndë në Malësinë e Madhe ku dyshohet se janë vrarë shtetasit Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj, të cilët që nga 3 tetori rezultojnë të humbur bashkë me shtetasin Danjel Pepaj që mendohet se është personi i cili mund t’i ketë qëlluar dhe më pas ka fshehur trupat dhe është larguar në drejtim të paditur. Burime nga fshati Vrith ku ka ndodhur ngjarja tregojnë se shtetasi Danjel Pepaj ditën e zhdukjes së të rinjve ka telefonuar një bashkëfshatar të zonës duke e pyetur nëse kishte armë sepse i duhej, por ka marrë përgjigje negative nga bashkëfshatari.
Danjel Pepaj sipas burimeve është rrahur shumë keq nga shtetasit Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj në Bajzë. Fillimisht Danjeli ka mohuar se është ai autori i vjedhjes së parcelave me kanabis, por pas torturave është detyruar që të thotë ‘po’. Nga Bajza janë nisur drejt Vrithit duke iu ngjitur malit ndërsa atje ka marrë një armë të fshehur dhe dyshohet se i ka qëlluar të dy personat që e kanë rrahur më përpara. Burime nga fshati Vrith tregojnë se nuk është vjedhur vetëm parcela e Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj, por edhe dy parcela të tjera që kanë qenë aty afër. Mësohet se Danjel Pepaj ka patur parcelën e tij me kanabis ndërsa Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj dyshohet se kanë patur një tjetër veçmas.
Pas dyshimeve se mund t’i ketë qëlluar Danjel Pepaj dyshohet se ka telefonuar vëllain e tij që ndodhet në Itali duke i treguar se çfarë ka ndodhur dhe duke i thënë se “njërin e kam qëlluar në ballë direkt ndërsa për tjetrin nuk e di nëse ka vdekur apo jo”. Vëllai i tij dyshohet se i është përgjigjur duke i thënë “spostohu 30 metër dhe qëllo edhe veten se nuk ke çfarë bën më”. Danjel Pepaj ka zbritur nga mali dhe dyshohet se ka shkuar në shtëpinë e tij dhe ka ndërruar rrobat. Më pas një person ka dyshime se e ka shoqëruar nga banesa deri në Zagorë. Aty Danjel Pepaj i ka kërkuar një tjetër personi që ta çojë me makinë drejt Kastratit në Malësinë e Madhe duke paguar një shumë më të madhe parash për këtë rrugëtim që nuk është e zakonshme. Që nga ky moment është e paqartë se ku ndodhet Danjel Pepaj i cili mësohet se ka thënë gjithashtu se “jam penduar që nuk kam qëlluar edhe vëllanë e Vilsonit se për ata dy nuk e kam problem”.
Danjel Pepaj dyshohet se në ndonjë banesë gjatë rrugës është mjekuar në rrugë popullore pasi ka patur dëmtime të konsiderueshme nga goditjet dhe më pas ka përfunduar në Kastrat ndërsa nuk dihet nëse është ende aty apo është fshehur në ndonjë vend tjetër dhe nuk është e sigurt nëse ndodhet ende në Shqipëri apo ka kaluar në Malin e Zi.
Ndërkohë sipas burimeve nga fshati Vrith babai i Danjel Pepaj, Rrok Pepaj është ngujuar në shtëpinë e tij pasi familja Çutaj i ka vendosur një ultimatum për të treguar çfarë ka ndodhur dhe mbi fatin e trupave të djemve. Ky afat tashmë ka mbaruar para dy netësh dhe tashmë Rrok Pepaj ndodhet i ngujuar. Deri para dy netësh familjet të gjitha bashkë në besë ndaj njëri-tjetrit kanë kërkuar për trupat, por tashmë ultimatumi ka përfunduar. Sipas burimeve kushërinjtë e Vilson Çutaj kanë ardhur nga jashtë Shqipërisë pas kësaj ngjarje të rëndë.
Policia vendore e Shkodrës ka kërkuar nga ajri përmes një droni përveç kërkimit fizik por deri më tani ende nuk janë gjetur trupat që mendohen si të vrarë. Nga ana tjetër banorë dhe familjarë janë penguar që të kërkojnë në gjithë territorin malor duke qenë se dyshohet se ka ende parcela atje të cilat këto ditë presin që të korren. Pas korrjes së parcelave pritet që të ketë më shumë shpresë për të gjetur trupat e pajetë.
(BalkanWeb)