TIRANE- Zhdukja e tri dosjeve të rëndësishme në Prokurorinë e Elbasanit, dy për pastrim parash dhe një për abuzim me fondet e një rruge, ka çuar në dyert e policisë një prokurore të Elbasanit, ndërsa për kallëzimin është njoftuar edhe Ambasada e SHBA-ve siç mëson “BalkanWeb”.

Burime nga policia thanë se katër ditë më parë, prokurorja Armanda Xhaferri, ka konstatuar se në zyrën e saj mungonin tre fashikuj, që i kishin mbërritur nga Njësia Task Forcë. Një grup hetimor i ngritur enkas për zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë, ka kqyrur zyrën e prokurores Xhaferri, por nuk ka konstatuar thyerje nga jashtë.

Sot, siç bën me dije për “BalkanWeb” gazetari Fatmir Popja, kallëzimi i prokurores së Elbasanit Armanda Xhaferri i është vënë në dispozicion edhe Ambasadës së SHBA-së në Tiranë.

Pak ditë më parë Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gyqësor Tiranë për veprën penale “Shpërdorim detyre” dhe “Zhdukja ose humbja e fashikullit”.

Armanda Xhaferri, me detyrë prokurore pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, në 02.12.2017. ka bërë kallëzim në policinë e Elbasanit pasi kur ka shkuar në zyrë ka konstatuar se i kishin humbur 3 fashikuj të proçedimeve penale, materiale të Task Forcës për hetimin e korrupsionit.

Grupi hetimor, gjatë kqyrjes së vendit (zyrës), nuk ka konstatuar thyerje nga jashtë dhe ka dyshime se janë marrë nga punonjës të kësaj prokurorie, pa dijeninë e saj.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme.
Një burim zyrtar konfirmoi se materiali i kallëzimit në fjalë i është vënë në dispozicion Ambasadës USA që në fundjavë.

Prokurorja Armanda Xhaferri njihet në Elbasan si një nga prokuroret që po heton çështje nga më të rëndësishme.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb