Vlora është një ndër qytetet që po numëron viktimat e një beteje që duket se është sunduar nga krimi i organizuar. Nëpërmjet dëshmive ekskluzive dhe dokumenteve të prokurorisë, Top Story  zbërtheu një seri rrëmbimesh, të kryera për shkak të përplasjeve në trafikun e drogës. “Rezulton se numri i personave të raportuar, të zhdukur, të humbur, nga familjarët… nga viti 2015 deri tani, ka pasur një numër rreth 80 referimesh”, – thotë prokurorja Flora Çela.

Nga denoncimet e familjarëve organet ligjzbatuese kanë evidentuar vetëm katër raste për ekzistencën e veprave penale, atë të trafikimit të lëndëve narkotike dhe të rrëmbimit të personit. Top Story përmes përshkrimit dhe inskenimeve në terren, solli në vëmendje disa histori e personazhe të zhdukur nga droga. Ndër to Albano Xhaferaj. Mëngjesin e 17 qershorit, Albano Xhaferaj u largua nga shtëpia, pa u ndarë me fëmijët dhe gruan, Danielën. Doli për një kafe me mikun e tij Arbër Turja. Gruas i tha se do të kthehej shpejt në shtëpi. Albano sapo ishte kthyer nga Belgjika. Teksa konsumonin kafen, Albano merr një telefonatë dhe i kërkohej një takim i menjëhershëm. Pak minuta më vonë, një makinë tip Audi, me targa AA560 TR ndalon në lokalin e rrugës Transballkanike. Babai i dy fëmijëve hipën në të, e më pas askush nuk e sheh më me sy.Daniela, duke menduar se bashkëshorti i saj ishte nën shoqërinë e miqve, nuk shqetësohet se Albano nuk u kthye në shtëpi. Gruan e re e zë paniku të nesërmen, kur telefoni i dilte i fikur. Për 7 ditë me radhë ka trokitur në çdo derë të miqve të bashkëshortit të saj, por asnjëri prej tyre nuk e kishte parë.Mëngjesin e 25 qershorit, ajo i është drejtuar komisariatit të Policisë së qarkut të Vlorës. Neglizhenca e treguar nga policia detyroi Lutfi Xhaferraj, babai i 34 vjeçarit, të denonconte publikisht zhdukjen e Albanos.

Një tjetër person i zhdukur nga droga në Vlorë është edhe Gazmend Merkaj, nëna e të cilit rrëfeu gjatë emisionit telefonatën e fundit me të birin.  “Para një jave e kishte marrë të vëllanë në telefon, I thoshte mos dil se do të vrasin. Më thoshte dhe mua mos dil shumë, se do të vrasin dhe ty. Ata që kamë ngrenë e kam pirë do më vrasin më tha”, – rrëfen nëna.Grupi e konsideronte Gazmentin një njeri të dobët jo të besuarin e tyre, ndërsa ai, në një mbrëmje të fundit të korrikut i shikon nga dritarja që i vinin rrotull makinës së parkuar. 36 vjeçarin e zë paniku. Gazmenti dyshon se i kanë vendosur lëndë eksplozive ndaj dhe lajmëron policinë.Pas kësaj ngjare, Më 1 gusht 2016 Gazmenti është dorëzuar ne komisariatin e Policisë së Fierit. Oficerëve të policise, Gazmenti u ka treguar se kishte dijeni mbi ngjarjet e fundit kriminale të ndodhur në Vlorë.

36 vjecari u tha hetuesve, se Albano Xhaferri, ishte rrëmbyer dhe ekzekutuar me çekiç në makinë dhe se ai i njihte autorët. Rrëmbimi bëhej për llogari të Edison Harizajt sepse Albano kishte dijeni për atentatin, që iu organizua Fredinant Llanajt, ngjarje kjo e ndodhur në muajin tetor të vitit 2017.Gazmenti u ka rrëfyer se ndihej i kërcënuar nga miqtë e tij, Ardian Kola, Aleksandër Çaushaj dhe Ilir Shakaj. Për këtë qëllim, sapo është kthyer nga Blegjika, Albano është ndjekur për një kohë të gjatë me makinën tip benx 250 ngjyrë e erret në përdorim të shtetasit Aleksandër Çaushaj.Për vrojtim më të mirë makinës I janë bërë edhe dy vrima, e vërtetuar kjo nga prokuroria e cila ka gjetur makinën tip benc në fshatin Pocem të Tepelenës.

Pak kohë pas zhdukjes së Albanos, Edison Harizaj ekzekutohet në afërsi të Shkozetit në Durrës, në një atentat titpk mafioz, në të cilin mbeti i plagosur edhe miku i tij, Genci Çaçi. Në dosjen e prokurorisë janë vetëm gëzhojat e sekuestruara në vendngjarje dhe skeletet e dy makinave, një të djegur që autorët braktisën dhe makina e bërë shoshë nga plumbat, me të cilën udhëtonte Harizaj dhe shoku i tij.I papërmendur asnjëherë publikisht, por i skeduar nga policia si një person me rrezikshmëri të lartë, vetëm pas vrasjes, në media rrodhën informacione në lidhje me aktivitetin kriminal të Edison Harizajt.Informacionet implikonin Harizajn edhe në vrasjen e gjyqtarit Skerdilajd Komomi, ngjarje kjo e ndodhur në shtator të vitit 2013. Makina e gjyqtarit shpërtheu në qendër të Vlorës.Harizaj kishte përfituar edhe nga sistemi i drejtësisë duke kryer pak vite burg pasi u dënua fillimisht me 24 vite vjet heqje lirie për akuzën e vrasjes të shtetasit Erjon Ahmeti dhe plagosjen e rëndë të dy shokëve të tij Ferdinand Deda dhe Neritan Rama, krim i ndodhur në 22 korrik 1999.

Një tjetër i zhdukur në Vlorë, saktësisht mesditën e 22 nëntorit të vitit 2016 është edhe Leonard Mehmeti, babai i tre fëmijëve. Vëllai i tij rrëfeu në emision se ishin shokët e tij që e lajmëruan për zhdukjen e të vëllait. Ajo që dihet për Leonardin është se mesditën e 22 nëntorit të vitit 2016 është nisur nga Vlora në drejtim të Tiranës. Mehmeti tregon se i vëllai frekuentonte shpesh Durrësin për shkak të miqësisë që kishte me Ervin Dalipajn, punonjës policie dhe Xhino Dautajn, i proceduar dhe dënuar në vitin 2012 nga Gjykata e rrethit të Vlorës për vrasje me paramendim. Mehmeti thotë se zhdukja e të vëllait ka lidhje pikërisht me implikimin e tyre në trafikun e drogës.Ish-shefi i krimit ekonomik në Tiranë, i akuzuar për rrëmbimin, torturimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut u ekzekutua në prill të vitit 2017, teksa po lëvizte me një makinë “Audi” së bashku me mikun e tij Juxhin Dauti në autostradën Tiranë – Durrës, në afërsi të kryqëzimit të Sukthit.  Ngjarja është ende e pazbardhur për policinë, ndërsa Mehmet Mehmeti thotë se zhdukja e të vëllait ka lidhje pikërisht me implikimin e tyre në trafikun e drogës.

Top Story vizitoi dhe familjen e Bahri Metushi, i cili jeton në lagjen 28 Nëntori në Vlorë. Marjo Metushi rezulton i zhdukur që nga 16 qershori i vitit 2017. Prokuroria ka pezulluar procedimin ndaj tij e regjistuar për veprën penale, kalim të paligjshëm të kufirit. Bahriu thotë se i biri ishte i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike.  “Me transport me gomone, ka qenë pilot. E ka bërë tërë kohën, nga Shqipëria në Itali. Ikte dhe vinte dhe me kohë të keqe. Nuk vinte me shokë por vetëm. E keqja e tij ishte se nuk tregonte se nga po vente”, tha babai. Në vitin 2000 Marjo është arrestuar nga policia italiane ku edhe ka vujtuar dënimin me 5 vjet heqje lirie. 70 vjeçari thotë se ishin arsyet ekonomike atë që detyruan të birin të rimerrte përsipër dërgimin e lëndëve narotike përtej detit. Pazaret për drogën apo dhe pagesa për punën e kryer në transportin e lëndëve narkotike gjatë muajit gusht 2017 është kjo arseyja që Bahri Metushi beson se është vrarë i biri. 69 vjeçari thotë se Marjo transportonte lëndë narkotike në Itali për llogari të një grupi kriminal në rrethin e Fierit, por policia dhe prokuroria nuk ka hetuar për zbardhjen e ngjarjes.   “Atë natë që është nisur ky, janë nisur dhe dy gomone të tjera. Ai që ikte Mario u gjet por u gjet i qëlluar. I mbytur”, u shpreh babai.

Qamil Laze është një tjetër i zhdukur, trupi i të cilit u gjet 1 milje larg bregut, pranë ishullit të Sazanit, mëngjesin e 24 marsit të vitit 2017. Familjarët kishin denoncuar zhdukej e tij më 11 marsit, datë në të cilën policia gjeti dhe një gomone të braktisur pranë ishullit me pako me 1.2 ton lëndë narkotike. Në lagjen Isa Boletini ku jeton familja Laze, ende mbahet zi për peshkatarin që të gjithë e njohin me emrin Numan. Trëndafile Laze, gruaja e peshkatarit tregon se është lajmëruar për kufomën e të shoqit nga peshkatarët, që e gjetën trupin në në detë. E ndërsa familja Laze i mbylli hesapet me drejtësinë me varrosjen e Manes, më 6 majit 2017, salla operative e drejtorisë vendore e policisë lajmërohet për gjetjen e një trupi të kompozuar në afërsi të ishillit të Sazanit. Familjarët identifikuan viktimën si Ardian Hitaj, babai i tre fëmijëve banorë i lagjes “4 heronjtë”, për të cilin ishte bërë kallëzim për zhduken e tij në muajin mars. Ngjarja është raportuar si mbytje, duke iu referuar ekspertizës mjeko-ligjore, sipas të cilës trupit nuk i janë konstatuar shenja dhuna. Më 26 qershor 2017, Prokuroria e Vlorës ka mbyllur hetimet me argumentin se nuk ka vepër penale.

Si peshkatarë të humbur janë raportuar nga Policia e Vlorës edhe zhdukja e Leonard Senkajt dhe shokut të tij Taulant Çerenishtit, edhe pse vetë familja e Senkajt e pranojnë se ishin të përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike.Ferzilete Senkaj tregon se i biri kishte kryer 4 vjet burg në Leçe pasi ishte arrestuar në tentative për trafikimin e lëndëve narkotike në brigjet italiane. “Një person që ne nuk e njohëm fare, na ka sjell këtu çantën dhe telefonin e tij. Atë e pyetëm se kush je ti, porn a tha se nuk dim asgjë për të, nuk foli”, tha nëna. Gjetjen e trupit të djalit të saj apo hetimin e ngjarjes është gjithë sa kërkon familja Senkaj. Ka bindjen se deri më tani organet ligjzbatuese nuk janë përpjekur për zbardhjen e implikimit të djalit të saj.

Dyert e mortit nuk ka guxuar t’i hapë as Përparim Maze që jeton në një në një shtëpi të papërfunduar në lagjen “15 tetori”, qendër të qytetit të Vlorës. I biri, Ariseldi është zhdukur mëngjesin e 3 korrikut 2017. 32 vjeçari ka dalë nga shtëpia për të mos u kthyer më kurrë. Familja ka mësuar se Ariseldi ka dalë për peshkim së bashku me mikun e tij, Adriano Jahaj, i njohur si biznesmen në qytetin e Vlorës. Rrethanat e zhdukjes së Ariseld Mazes dhe Adriano Jahajt janë rasti i vetëm për të cilët Policia e Vlorës e ka referuar në prokurori për dyshime në përfshirjen e trafikut të drogës. Por megjithë referimin e ngjarjes nga Policia e Vlorës, zyrtarisht Adriano Jahaj nuk ekziston. Me këtë emër biznesmeni njihet vetëm mes miqsh në Vlorë, pasi në dokumente zyrtare dhe pronën e tij, një hotel te lagjja e njohur si “Uji i Ftohtë” në Vlorë, është i regjistruar me emrin Fatosh Jahaj. Dosja është rikthyer sërish në prokurorinë e rrethit të Vlorës, ndërsa familjarët e biznesmenit nuk pranojnë të flasin, pasi jetojnë me shpresën se 53-vjeçari është ende gjallë.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb