Nga: FATOS ÇOÇOLI *
Në një deklaratë për mediat menjëherë pas mbarimit të seancës së djeshme parlamentare, ku opozita dhe pozita u grinë për skenarët e paprovuar të tentativës për vrasjen e një deputeti, Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE) shprehu zhgënjimin e saj. Zhgënjim për përkeqësimin e debatit politik në vend, pikërisht në Parlament, aty ku duhej të ishte tempulli i fjalës së lirë e të paqtë. OSBE u bëri thirrje të gjithë politikanëve të frenojnë gjuhën dhe veprimet ndezëse në Kuvend, si dhe të lejojnë institucionet e vendit të funksionojnë në interesin më të mirë të qytetarëve. Sinqerisht, jemi të mbushur si qytetarë, sa s’mban më, me politikanë që bëjnë me zell prokurorin, gjykatësin dhe fitilndezësin e zemëratës së sforcuar politike. Duhet t’i thërrasim mendjes dhe të distancohemi prej tyre, por a po e bëjmë? Kur politikanët tanë gërthasin sa ngjiren përpara kamerave, të eksituar nga skenarët që dolën ditët e fundit, për vrasjen e një deputeti (dhe që për hir të së vërtetës, këta skenarë ende nuk na kanë sjellë një përbërës të vetëm të besueshëm), si po sillemi ne që i shohim të kacafyten aq turpshëm? Disa prej nesh u bëjnë tifozllëk: “Ah, sa mirë e shave, qenin! Si ia sëllove atij barkderri! E meriton ai!”. Disa me kërshëri, si të ishte një ndeshje boksi apo keçi. Ndërsa shumica jonë e ndjekim me indiferentizmin që të sjell pafuqia, me një ndjenjë të përzier keqardhjeje dhe fataliteti se: “Kështu janë këta politikanët tanë. Njerëz pa skrupuj, të aftë të shiten e të blihen për paranë dhe interesat e tjera materiale, sa herë u jepet rasti”. Kur nuk duhet të jetë kështu. Kur zhgënjimin dhe indinjatën tonë si qytetarë duhet ta japim të fortë e të qartë. Për këtë do të na ndihmonte sjellja apo kundërveprimi i qoftë një strukture të vetme të shoqërisë civile. Por sa herë përplasen e nxjerrin shkëndija me njëri-tjetrin politikanët tanë, OJF-të e shumta që kemi rrinë urtë, si qengja, nga frika se mos ndonjë prononcim do t’u bëjë dëm interesave të tyre për të fituar para donatorësh apo nga qeveria. Kur duhet të reagojnë, të dënojnë me forcë këtë gjuhë të urrejtjes, sharjes dhe shpifjes, që na vjen nga foltorja apo tavolinat e Parlamentit. Që i bën një dëm të pallogaritshëm jetës së çdo qytetari të këtij vendi, pse e mbars kot së koti një frymë pasigurie. Sikur nuk mjaftonte tritoli i grupeve të paguara për të frikësuar ministrin e sotëm të Rendit! Gjuhë e helmuar dhe ndezëse e fitilave të pasigurisë, në një kohë që na nevojiten kaq shumë investuesit e huaj. Na nevojitet një klimë normale, qetësimi i gjendjes, në mënyrë që bankat tregtare (12 nga 14 banka tek ne) që dolën me fitim vitin e kaluar, të rrezikojnë paratë që kanë duke dhënë kredi për ekonominë dhe qytetarët. Banka e Shqipërisë shprehet (dalja e parë e Guvernatorit të ri pardje) optimiste për ekonominë tonë gjatë këtij viti, por politika jonë jo! Ajo është e verbër ndaj interesave jetësore të shqiptarëve, ndaj gjasave për vende të reja pune, edhe pse flet gjithë ditën për të kundërtën! Ajo synon dhe kërkon vetëm pushtetin. Me çdo kusht, me koston edhe të një çekuilibrimi tërësor të vendit. Nuk pret datat ligjore për përballjen me votëbesimin e qytetarëve (qershori 2015 për zgjedhjet vendore, dy vjet më vonë për zgjedhjet e përgjithshme), por kërkon që tani dorëheqje, kataklizëm, rrëmujë. Mjafton që pushteti t’i buzëqeshë sërish, qoftë dhe nga larg… Si qytetarë, ia vlen të kundërveprojmë ndaj një papërgjegjshmërie kaq të skajshme të politikës sonë. Por do të ishte gabimi më fatal po ta bënim këtë, duke mos shkuar në kutitë e votimit në 21 qershor 2015. Edhe ne, si OSBE, kemi zhgënjim të thellë. Por kështu amorfë, pa nerv, pa reagim, si po sillemi, bëjmë lojën e politikanëve tanë të papërgjegjshëm. Ia vlen të ngrihemi nëpërmjet rrjeteve sociale. Boll me protesta të stisura dhe të organizuara në prapavijë nga partitë kryesore politike. Njëlloj si për armët kimike të Sirisë, apo për mushkëritë e gjelbra të Tiranës, duhet të ngrihemi spontanisht dhe të protestojmë përpara Kuvendit për këtë gjuhë vrastare të interesave më të shenjta të shqiptarëve, ato të jetesës së paqtë dhe të kërkesave për një ekonomi më të mirë. Por a do ta bëjmë?

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: