TIRANE

Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj i ftuar në rubrikën “Opinion” në News 24 komentoi deklaratën e raportuesit për Shqipërinë, Knut Fleckenstein të bërë sot pas takimeve në Tiranë me përfaqësues të mazhorancës e opozitës. Ndërsa Fleckenstein tha se ishte zhgënjyer me kryetaren e LSI, Monika Kryemadhin.

“Zonja Kryemadhi ka shprehur vetëm vendosmërinë për të mos u kthyer mbrapsht, me gjuhën e saj të drejtpërdrejtë ka shprehur se Shqipëria është e shqiptarëve dhe këtu vendosim ne. Kjo i jep rast Fleckenstein të shprehet për të. Ajo nuk është liderja e opozitës është krahu i opozitës, pra do ishte më e vështirë që ai të fliste për Bashën. Gjuha e tij është si gjuha e Ramës, konfirmon qëndrimet e njëanshme. Ai në asnjë rast nuk ka dalë nga simpatitë e tij si socialdemokrat”.

Deklarata e Knut Fleckenstein për Kryemadhin

“Dje patëm disa shkëmbime të mira me disa ndoshta ish deputetë. Së pari me Bashën. Ne e bëmë të qartë se ne e kuptojmë nga njëra anë argumentet e tij, por edhe nëse opozita ka të drejtë me akuzat, bojkotimi i Kuvendit nuk zgjidh problemet. U çudita, por edhe u zhgënjeva shumë nga kryetarja e LSI-së për arsye se ajo tha një fjali në fund të takimit, duke thënë që ata e kanë marrë vendimin që në Shqipëri ka nevojë për ndryshim pushteti, për shoqërinë, për vendin dhe se nëse europianët nuk e kuptojnë nuk është problemi i saj. Duhet ta kuptojnë se në cilën anë ndodhemi ne”.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb