Presidenti i Republikës, Bujar Nishani denoncoi dje shantazhin që sipas tij, i është bërë përmes një telefonate nga kryeministri Edi Rama për dekretimin e Visar Zhitit për ambasador në Vatikan. I ftuar në “Top Story”, kreu i shtetit shpjegoi arsyet e refuzimit të kandidaturës së Zhitit, që sipas tij, është vijimësi e përplasjes me qeverinë.

Z.President ka nisur me një luk të ri viti i ri për ju…

Po, besoj më afër origjinalit.

Ndonjë arsye?

Thjeshtë arsyeja për lehtësi, për t’u përgatitur më shpejt në mëngjes për punë.

Familja juaj është përfshirë në një konflikt që ka të bëjë me pronën ku është ndërtuar Kisha e Elbasanit. Si qëndron e vërteta?

U akuza jashtë çdo kodi etike familja ime. Pati akuza dhe fyerje shumë të rënda, të cilat nuk ndodhin në asnjë vend të botës. Mund të shkelë ligjin presidenti, por ka mekanizma, ka formate për t’i hetuar të gjitha shkeljet e ligjit, të gjitha abuzimet, por kurrë nuk dëgjohet që përfaqësues të maxhorancës, në mënyrë publike të artikulojnë akuza të pavërteta. E vërteta është shumë e thjeshtë. Familja e bashkëshortes sime është pasardhëse e Qemal bej Elbasanit, ka qenë sekretar i parë i Ismail Qemalit, por në rastin e pronës në fjalë bashkëshortja ime nuk është trashëgimtare. Aty janë mbi 50 familje. Ka një pjesë shumë të vogël nëna e bashkëshortes. Por unë nuk mund t’u kërkoj nipit a po vjehrrës sime që të mos kërkojë pronën e saj, por nuk është trashëgimtare bashkëshortja ime.

Atëherë, i bie që edhe prona ku është SHQUP-i duhet t’u kthehet pronarëve?

Natyrisht që po, nëse gjykata njeh pronarët.

Nuk ka ndodhur që të ketë tone kaq të ashpra të një presidenti ndaj kryeministrit të vendit. Deklarata juaj ishte e tensionit të lartë…

Ka qenë një deklaratë, e cila nuk ka pasur asnjë fjalë të vetme jashtë etikës. Ka qenë një deklaratë, e cila dënonte dhunën e pandërprerë institucionale, të vijueshme ndaj institucionit të Presidentit, i cili përfaqëson unitetin e popullit. Askush nuk mund të denigrojë institucionin e presidentit dhe nuk ndodh në asnjë vend.

Ka ndodhur, një kryeministër e ka quajtur presidentin Topi “horr bulevardi”… Z.Topi deklaroi se do të krijonte një parti, kurse ju jo, por jeni kthyer në presidentin më politik që kemi pasur… Ju quajtën qeverinë, jakobinë…

Ky është konkluzion i juaj, që jam presidenti më politik. Ka një sulm të pandërprerë politik për arsye politike që në ditën e parë që jam futur në atë zyrë. Që nga dita e parë e kësaj qeverisjeje ka pasur sulm ndaj presidentit. Nuk ka pasur në historinë e pluralizmit që sa herë që presidenti në të drejtën e tij kushtetuese çonte një dekret, askush nuk merrej me dekretin, por me fyerjet ndaj presidentit. Nuk mund të merresh me fyerjet ndaj presidentit dhe familjen e tij. Ndaj ai reagim i imi ka qënë në vijimësi të sulmeve që m’u bënë dhe u bënë 30 minuta pas një telefonate të papranueshme nga kryeministri.

Për çfarë telefonate bëhet fjalë?

Atë ditë kam qenë në zyrë, më është komunikuar nga sekretari se më kërkon kryeministri në telefon. E kam pritur me kënaqësi. Kisha dëgjuar që kryeministri telefonon gjyqtarë, prokurorë por jam befasuar nga fjalori dhe toni i përdorur ndaj presidentit. Një fjalor i papranueshëm. Sado mosmarrëveshje të kesh, presidenti është kryetar shteti dhe nuk mund t’i bërtasësh në telefon.

Pse?

Për arsye se unë nuk po dekretoja z.Visar Zhiti. Dhe 45 minuta më pas dëgjova deputetin e PS-së që ligjëronte në Kuvend. Nuk mund të merrem me fjalë që vijnë nga rruga. Presidenti është aty të mos ketë frikë se mund ta heqin nga puna, se mund ta flakin, por është aty për të mbrojtur të drejtën kushtetuese.

Në atë telefonatë perceptuat se mund të shkarkoheni, apo mund të dhunoheni?

Jo, nuk ka pasur lidhje me këtë.

Pse po e nxirrni sot në shesh këtë telefonatë? Çfarë ju ka thënë kryeministri, ju ka ofenduar, kërcënuar?

Nuk ka lidhje me futje në burg, sepse nuk mund të pranohet, por ka qenë me tone dhe terma të papranueshme. Kryeministri përdori një terminologji të papranueshme.

Për çfarë termash bëhet fjalë?
Është e papranueshme që një presidenti t’i drejtohesh me tone të papranueshme. Ne duhet të ndryshojmë këtë kulturë të papranueshme dhe nëse nuk përballemi qoftë edhe me kosto, do jetë edhe më keq.

Për çfarë kostoje flisni? Çfarë synimi ka sulmi?

Ka për qëllim që Presidenca të kthehet në një kukull.

Pse nuk e dekretuat z.Zhiti?

Çështjet kanë qenë në vijimësi. Çështja nuk ka qenë aspak ndaj z.Zhiti. Ambasadori nuk përfaqëson vetëm Shqipërinë. Është ambasador i plotfuqishëm që përfaqëson edhe presidentin.

Dhe Zhiti nuk ishte i denjë?

Nuk kam thënë asnjëherë që z.Zhiti nuk është i denjë. Por çështja e ambasadorëve dhe bllokimi i tyre ka qenë e përsëritur dhe qeverisë i është thënë që të bashkëpunojë me presidentin për kandidaturat që do të shkojnë jashtë vendit dhe jo për arsye personale. Kjo s’ka për të ndodhur kurrë nga ana ime, që të sugjeroj ndonjë emër për arsye personale. Por arsyeja që kam kërkuar për konsultime paraprake, ka qenë për të mos lindur probleme. Por ky është një skenar i stisur, dashakeq ndaj Presidentit. Unë nuk e konsideroj propozimin e kryeministrit një copë letër, por nuk pati konsulta. Nuk m’u kërkua asnjë mendim as nëse do të kishte probleme të kësaj natyre. Për këtë punë bëhen konsultat paraprake. Por kur presidenti injorohet jo vetëm njëherë… Një vend mik nuk e pranoi ambasadorin dhe e ktheu mbrapsht dhe nuk janë pranuar kredencialet e Presidentit të Republikës.

Na e thoni kush është?

Nuk ka rëndësi, mund ta kërkoni në Ministrinë e Jashtme.

Ky është një rast i jashtëzakonshëm…

Jo, unë nuk mund të përmend emra. Së pari, janë Emiratet e Bashkuara Arabe, refuzuan kredencialet e një ambasadori të dekretuar nga presidenti. Kam kërkuar menjëherë pasi ishte vënë shteti dhe presidenti në një pozicion të tillë, nuk do t’ju miratoj asnjë kandidaturë pa konsultime. Por përsëri u injorua kërkesa e presidentit. Ndaj, rasti i Zhitit ishte një kurth politik për ta vendosur presidentin në një pozicion të tillë, pa ditur dinamikën e komunikimit, pa ditur dinamikën e bashkëpunimit.

Nuk keni ndërmend t’i merrni në konsideratë emrat e ambasadorëve, janë 4 të tillë?

Kushtetuta ka pasur të drejtën e kreut të shtetit ose për dekretuar, ose për të mos dekretuar, ose për të mos dhënë shpjegime. Presidenti baraspeshon, vlerëson interesin e shtetit dhe kjo është arsyeja që i është dhënë e drejta për të mos e dekretuar dhe për të mos dhënë shpjegime, sepse qëndrojnë arsye shtetërore.

Atëherë pse e thirrët z.Zhiti për t’i dhënë shpjegime?

Z.Zhiti e kishte e kërkuar takimin dhe nuk e dija që ai do ta përdorte për show mediatik. Janë përdorur fjalë dhe terma që nuk janë thënë nga unë dhe po ta dija që do të keqpërdorej ai takim, nuk do ta prisja.

Si është e vërteta e emërimit të motrës së Aleksandër Frangajt?

Më vjen shumë keq që artikulohet një e pavërtetë e tillë. Është e vërtetë që ka një të ngarkuar me Punë në Vatikan, është z.Ndreca dhe nuk është motra e z.Frangaj.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb