Është dashur bashkëpunimi i policive të tre rretheve për kapjen e një krimineli me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i cili vetëm tre ditët e fundit kishte kryer 7 grabitje.

Sipas informacioneve zyrtare nga Policia e Shtetit është vënë në pranga 41-vjeçari Aleks Prifti, lindur në Urën Vajgurore, Berat dhe banues në Tiranë.

Prifit sipas policisë është grabitësi i disa karburanteve me armë e dhunë, të ndodhura ditët e fundit në disa qytete të vendit.

OPERACIONI
Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në bashkërendim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, Fier, Berat dhe Elbasan, organizuan dhe zhvilluan operacionin policor “Fuel thieves” për zbulimin dhe dokumentimin ligjor të aktivitetit kriminal të një shtetasi me rrezikshmëri të theksuar shoqërore, i cili lëvizte me një automjet tip “HONDA”, të marrë me qira dhe nën kërcënimin e një arme zjarri pistoletë me silenciator, kryente “Vjedhje me dhunë” dhe “Vjedhje me armë” kryesisht në pikat e karburantit në akset rrugore të këtyre qarqeve si dhe në dyqane bizhuterish, ku brenda 3 ditëve të fundit arriti të kryente 7 (shtatë) vjedhje më armë e dhunë.

Pas një pune hetimore intensive dhe profesionale, duke përdorur të gjitha mjetet dhe metodat tekniko shkencore për të vërtetuar veprimtarinë e tij kriminale, të kryer nga Komisariati i Policisë Lushnje, Kavajë dhe Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit, u bë i mundur identifikimi dhe vendndodhja e personit të dyshuar si autor i këtyre ngjarjeve.

Ky shtetas është i njohur si person me precedentë të mëparshme kriminale, për vjedhje, plagosje me armë të ftohta dhe armë zjarri e gjobëvënie.

Gjithashtu ky shtetas është person me precedent kriminal edhe në Greqi, Belgjikë e Itali.
Gjatë datës 01, 02, 03 dhe 04 Gusht 2017, ky shtetas ka kryer 7 vjedhje me armë dhe dhunë në disa pika karburantesh në qytete të ndryshme të Shqipërisë si edhe ka tentuar të vjedhë me armë një argjendari në qytetin e Lushnjës.

Konkretisht:
1. Në datën 01.08.2017, rreth orës 22:00, në fshatin Portëz, Fier, nën kërcënimin e armës ka vjedhur paratë e xhiros ditore në një pikë karburanti.
2. Në datën 02.08.2017, rreth orës 14:18, ka kryer vjedhjen me armë ( pistoletë ) të mbetur në tentativë të një argjendarie në qytetin e Lushnjës.
3. Në datën 02.08.2017, nën kërcënimin e një arme ( pistoletë) ka tentuar të vjedhë një pikë karburanti në qytetin e Cërrikut.
4. Në datën 03.08.2017, rreth orës 22:15, ka krer vjedhje me armë ( pistoletë ) të një pike karburanti në Maminas, Durrës.
5. Në datën 04.08.2017, rreth orës 05:08 në fshatin Bardhas, Peqin, nën kërcënimin e armës ka vjedhur paratë e xhiros ditore në një pikë karburanti.
6. Në datën 04.08.2017, rreth orës 05:12, në fshatin Karinë, Peqin, nën kërcënimin e armës ka vjedhur paratë e xhiros ditore në një pikë karburanti.
7. Në datën 04.08.2017, në orën 05:25, në Rrogozhinë, ka vjedhur me dhunë nën kërcënimin e një arme, një tjetër pikë karburanti.

Nga hetimet e kryera rezultoi se autori i këtyre veprave penale, në momentin e kryerjes së grabitjeve, targat e automjetit i mbulonte me shirit natriban me qëllim që të mos identifikohej para këtyre subjekteve.

Gjithashtu më datën 26 Qershor 2017 në Berat, ky shtetas së bashku me vëllain e tij kërcënojnë për marrje pasurie një shtetas, (vepër për të cilën vëllai është arrestuar, ndërsa ky shtetas u shpall në kërkim).

Kapja e këtij personi është bërë mbrëmjen e djeshme në Durrës dhe më pas është transportuar për në Lushnje ku dhe janë kryer veprimet për arrestimin e tij.

Në bashkëpunim me Prokurorinë po punohet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale të këtij shtetasi.

Njëkohësisht po vijon puna në bashkëpunim me partnerët tanë në Itali, Belgjikë e Greqi për të dokumentuar veprimtarinë kriminale të këtij personi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb