Qeveria ka përcaktuar rregullat e zhvillimit të zonave aeroportuale. Qëllimi i këtij vendimi është përcaktimi i rregullave për zhvillimin e zonave aeroportuale, në lidhje me ndikimet që mund të kenë në sigurinë në operim, ndërtimet e propozuara apo përdorimin e tokës në zonat e mbrojtura të aeroportit dhe jashtë tyre.
Zona e mbrojtur e aeroportit, në kuptim të këtij vendimi, nënkupton zonën territoriale, e cila shtrihet në një rreze prej 15 (pesëmbëdhjetë) km nga pika e referimit të aeroportit.
Pika e referimit të aeroportit është vendndodhja gjeografike, e përcaktuar me koordinata në bazë të sistemit WGS- 84 për një aeroport, sipas informacionit të publikimit aeronautik shqiptar (AIP).
Përjashtohen nga zbatimi i këtij vendimi aeroportet që përdoren ekskluzivisht për qëllime ushtarake.
Autoritetet përgjegjëse për zbatimin dhe mbikëqyrjen e rregullave në zonën e mbrojtur të aeroportit janë ministria përgjegjëse për transportin ajror, Autoriteti i Aviacionit Civil (në vijim AAC) dhe autoritetet kompetente për kontrollin e territorit.
Leja për zhvillim apo ndërtim në zonat e mbrojtura të aeroportit merret pranë Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit (në vijim KKTU), sipas parashikimeve në vendimin nr.408, datë 13.5.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, të ndryshuar.
Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe Agjencia e Zhvillimit të Territorit marrin mendimin e Autoritetit të Aviacionit Civil për çdo praktikë aplikimi për leje zhvillimi, leje ndërtimi apo praktikë hartimi dokumentesh për planifikim të territorit, që përmban objekte, struktura apo instalime që ndodhen në zonat e mbrojtura të aeroportit.
Çdo objekt apo strukturë e planifikuar për ndërtim apo instalim në zonat e mbrojtura të aeroportit duhet që të marrë, sipas rastit, miratimin ose pëlqimin nga AAC-ja.
Objektet, strukturat apo instalimet do t’i njoftohen AAC-së në lidhje me lartësinë, koordinatat dhe strukturën apo llojin e ndërtimit. Koordinatat e përdorura duhet të jenë në formatin WGS84.
Zhvillimi, ndërtimi ose përdorimi i pasurive të paluajtshme, brenda zonës së mbrojtur të aeroportit, për aktivitete apo veprimtari, të cilat mund të tërheqin botën shtazore, do t’i njoftohen për vlerësim AAC-së. AAC-ja jep vlerësimin brenda 10 (dhjetë) ditëve nga bërja e kërkesës.
AAC-ja përcakton nëse objektet apo strukturat e planifikuara për ndërtim apo instalim në zonat e mbrojtura janë objekte të rrezikshme për shkak të vendndodhjes, lartësisë ose mungesës së shënimit apo ndriçimit të tyre. Për këtë qëllim, subjektet zhvilluese, të cilat marrin vlerësimin pozitiv nga AAC-ja, duhet të njoftojnë këtë të fundit për fillimin e punimeve dhe përfundimin e tyre.
AAC-ja shprehet brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga dita e bërjes së kërkesës, sipas pikave 7 dhe 8, të këtij vendimi. Nëse AAC-ja nuk shprehet brenda 30 (tridhjetë) ditëve, kërkesa quhet e pranuar dhe pa vërejtje.
Në çdo rast, subjektet që kërkojnë të bëjnë zhvillime ose ndryshime në pasuritë apo objektet që kanë në pronësi, duhet të ndjekin procedurën e parashikuar në vendimin nr.408, datë 13.5.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, të ndryshuar, pranë KKTU-së.
Për shkeljen e dispozitave që lidhen me kryerjen e zhvillimeve apo ndërtimeve në zonat e mbrojtura të aeroportit merren masa administrative, sipas parashikimeve në ligjin nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar.