TIRANE
Qendra e Studimit të Arteve ka mbajtur një konferencë ndërkombëtare në Akademinë e Shkencave mbi artin në hapësirën publike dhe shndërrimin e qytetit. Nën titullin “Qyteti i shpalosur: arti si faktor shndërrimesh” u morën në shqyrtim ndryshimet e qyteteve në vend parë në disa prizme.
“Mendoj se është tema më e rëndësishme e kulturës bashkëkohore shqiptarë çështja e qytetit, hapësirës publike, e pozicionit të arti dhe artistit në këtë bashkësi që quhet qytet”, tha Stefan Çapaliku.
Drejtori i Qendrës së Studimit të Arteve u ndal te ndërtimi i idealit të shoqërisë mbi qytetit përmes marrëdhënies me të. Në anën tjetër, studiuesit e pranishëm, e shohin qytetin përmes humbjes së pikave identitare dhe gjurmëve që lë çdo brez në të, përfshirë angazhimet publike në mbrojtje të qytetit dhe ndjeshmërinë e humbjes së kujtesës kolektive.
“Unë kam analizuar festivalin teatror joinstitucional që u mbajt gjatë protestave të Teatrit Kombëtar. Jam dakord me zhvillimin urban me rregullimin e qendrave të qyteteve e qendrave të banuara, mirëpo kemi nevojë edhe për piketat tona ku të orientohemi. Çështja është që të ndërtojmë mbi ato që kemi dhe jo të prishim për të ndërtuar mbi rrënoja”, tha Anxhela Cikopano, studiuese.
“Sot përballemi me tre masterplane që mbivendosen njëri-tjetrit sidomos në Tiranë. Më vjen ke që edhe qyteti ka një identitet dhe nëse e humbim këto pika referimi, atëherë ndryshojmë edhe identitetin e qytetit. Rreziku me humbjen e rrënjëve, është përsëritja e disa situatave edhe në një nivel tjetër”, tha Stefano Romano, kordinator i konferencës.
Për të, edhe restaurimi i piramidës, mund të interpretohet si një rrezik për humbjen e kujtesës së çfarë ka përfaqësuar ajo si simbol.