TIRANË- Është zhvilluar në Tiranë Asambleja e Zakonshme e Konferencës Ipeshkvnore të Kishës Katolike të Shqipërisë. Gjatë dy ditëve, më 4 dhe 5 maj ipeshkvijtë trajtuan çështje me rëndësi për jetën e Kishës, ndërsa kanë qenë të pranishëm edhe ipeshkvijtë e ftuar nga Tivari e Kosova dhe Nunci Apostolik në Shqipëri Imzot Ramiro Moliner Inglés, i cili bëri një përshëndetje.

Në fjalën e tij hapëse Imzot Angelo Massafra, Arqipeshkëv, Metropolit i Shkodër-Pult, President i KISH, bëri një përmbledhje të veprimtarive të zhvilluara në këtë vit sipas programit dhe vendimeve të plenares së fundit të muajit nëntor 2014 duke trajtuar argumentet e mëposhtëm:

Ai kujtoi fillimin e Vitit për Jetën e Kushtuar, të shpallur nga Papa Françesku, që u kremtua nga rregulltarët e rregulltaret në Katedralen e Shkodrës, më 13 dhjetor, si një çast gëzimi dhe ripërtëritje shpirtërore për të gjithë të kushtuarit.

U diskutua mbi zhvillimin e Konferencës së Jashtëzakonshme, me datë 11 mars 2015, ku Ipeshkvijtë punuan për Pyetësorin mbi Familjet në përgatitje të Sinodit të Zakonshëm mbi familjet që do të mbahet në Vatikan në tetorin e ardhshëm.

Gjithashtu u fol mbi ndikimin që pati takimi UCESM (Bashkimi i Konferencave të Eprorëve të Lartë të Evropës), i cili u zhvillua në Tiranë dhe përfundoi në Shkodër duke kujtuar dramën e martirizimit të klerit dhe besimtarëve. Ky ishte një çast reflektimi i rregulltarëve të krejt Evropës mbi domethënien e jetës rregulltare si dëshmi e dukshme e dashurisë së Zotit për njerëzit.

Hartimi i Qarkores për votimet administrative, e cila me qartësinë e saj qe një nxitje për njerëzit e thjeshtë e vullnetmirë dhe pati jehonë të gjerë ishte një tjetër pjesë e fjalës së Imzot Angelo Massafrës.

Pas përshëndetjes së Nuncit Apostolik, u trajtuan edhe disa tema të tjera:

Përgatitja e të fejuarve për martesë. Edhe në përgatitje të Sinodit mbi familjen u fol mbi rëndësinë e formimit të të rinjve për një martesë të krishterë, e cila kërkon formim jo vetëm përpara, por edhe mbështetje të çifteve të reja në vështirësitë që ndeshin në jetën e përditshme.

Raporti mbi Seminarin i rektorit Don Leonardo Falco bëri që ipeshkvijtë të falënderojnë ekipin edukues për përkujdesjen e tyre të vazhdueshme në formimin e të rinjve që janë të thirrur për jetën meshtarake.

U vendosën detaje mbi Asamblenë Kombëtare të Kishës që do të zhvillohet nga data 18-20 qershor 2015 në Shkodër. Kjo Asamble do të përfshijë klerin, të shuguruarit, laikët katekistë e familje të angazhuara me qëllimin e vetëm për të verifikuar ecjet e bëra si Kishë deri tani, për t’u ballafaquar me sfidat e kohës sonë e për të vazhduar ecjen së bashku që çdokujt t’i mbërrijë lajmi i mirë i Ungjillit.

Në fund u bënë zgjedhjet për Presidencën për periudhën 2015-2018. Imzot Angelo Massafra OFM, Arqipeshkëv i Arkidioqezës Shkodër-Pult, u rizgjodh President i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë.

Imzot Lucjan Avgustini, Ipeshkëv i Sapës, u zgjodh Zv/President dhe Imzot George Frendo, Ipeshkëv ndihmës i Arkidioqezës Tiranë- Durrës, Sekretar i Përgjithshëm.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: