TIRANË- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko ka dalë sot në një konferencë për shtyp dhe ka deklaruar se Banka e Shqipërisë do të hyjë në tregun valutor, duke blerë valutë, me qëllim që të ndalojë rënien e lirë të monedhës së përbashkët.

Ndonëse sot rënia e euros ka ndalur pas tre javësh rënie, Guvernatori ka sqaruar se kjo situatë do zgjidhet. “Operacionet e blerjes së valutës do të ruajnë kohëzgjatjen e nevojshme për të arritur objektivat e deritanishme”,- tha Guvernatori i Bankës së Shqipërisë.

“Kemi të drejtën tonë të rregullojmë parametrat e tregut”,- u shpreh ai.

Sipas Sejkos, Këshilli Mbikëqyrës e mori këtë vendim në rrethana specifike, dhe ka për qëllim të frenojë përshpejtimin e rënies së euros, që në muajin maj ka dalë përtej parametrave.

“Ky vendim u ndërmor vetëm për nevoja te përmbushjes së objektivave të inflacionit, pasi rënia e euros rrezikonte objektivin e inflacionit. Në Shqipëri do të vazhdojë të jetë regjimi i lirë i kursit këmbimit, por BSH ka të drejtën e saj për të rregulluar parametrat e tregut”,- përfundoi guvernatori.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 124.42 lekë, me një rritje relativisht të fortë prej 0.25 lekësh në krahasim me ditën e mëparshme.

Që nga data 18 maj dhe deri në 5 qershor, kur euro vetëm ka rënë në tregun e brendshëm, monedha e përbashkët kishte humbur 3.15 lekë. Në të kundër dollari ka vijuar të nënçmohet, duke u këmbyer me 105.86 lekë, 0.32 lekë më pak sesa një ditë më parë.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: