Prej 24 orësh rreth 120 forca e mjete po luftojnë me zjarrin në Qafë Shtamë në territorin e Bashkisë Mat, që kufizohet me kampin e Qafë Shtamës, pjesë e territorit të Krujës. Zjarri është riaktivizuar përmes vatrave të reja ditën e sotme. Nga flakët janë përfshirë rreth 30 hektarë pyje me ah shumëvjeçarë.
Gazetari Enver Doçi raporton për Balkanweb se zjarri po ndihmohet edhe nga era e fortë. Në terren janë forcat e ushtrisë, të policisë dhe punonjës të bashkisë Mat. Zjarri mendohet të jetë i qëllimshëm në të dy vatrat e reja që janë aktivizuar. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit të këtij zjarri të qëllimshëm.
Zjarri po i afrohet kampit të Qafë Shtamës. Aktualisht po punohet nga toka për shuarjen e vatrave të zjarrit, pasi terreni për mjetet zjarrfikëse është tejet i vështirë.
Fillimisht zjarri ka nisur mbi tunelet e Selitës, e më pas, i ndihmuar edhe nga era, ai është përhapur me shpejtësi edhe në sipërfaqe të tjera të masivit pyjor të Qafë Shtamës.
(Balkanweb)