Policia e Elbasanit ka zbardhur dy raste të zjarrvënieve në fshatrat e njësisë administrative Papër, ndërsa ka identifikuar dy autorët e dyshuar.

Policia njoftoi se në vijim të punës hetimore për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve, si dhe si rezultat i informacioneve dhe provave të siguruara nga Komisariati i Policisë Elbasan, për 2 raste të zjarrvënieve, u bë identifikimi i autorëve të këtyre rasteve. Në vijim të veprimeve procedurale për këto raste:

-u arrestua në flagrancë shtetasi B. H., 54 vjeç, banues në fshatin Papër. Ky shtetas dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij, në fshatin Pajun, për djegien e mbeturinave, por zjarri i ka dalë jashtë kontrollit dhe si pasojë është djegur një sipërfaqe toke me 267 pemë ulliri, në pronësi të shtetasit J. V. Gjithashtu, për këtë rast u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal ndaj pronarit të tokës, shtetasit J. V., pasi nuk ka kallëzuar për këtë rast;

-referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin Xh. S., 62 vjeç, banues në fshatin Bizhutë, pasi ka ndezur zjarr në tokën e tij, për të djegur disa mbeturina, dhe nga përhapja e flakëve janë djegur pjesërisht 7 pemë ulliri në pronësi të një 58-vjeçari.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Elbasanit, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb