NGA SHABAN MURATI*
Presidenti filorus i Serbisë, Tomislav Nikoliç, duket se është i pakënaqur që kryeministri Aleksandër Vuçiç nuk ka pranuar deri tani të nënshkruajë marrëveshjen e propozuar nga Rusia, që Serbia t’i akordojë status dhe imunitet diplomatik personelit të bazës “humanitare” ruse, të ngritur në qytetin serb të Nishit. Presidenti po shkon për vizitë në Moskë në datën 9 mars pa dhuratën e imunitetit diplomatik dhe e shprehu hapur pakënaqësinë ndaj qeverisë në datën 4 mars, kur deklaroi se pret që marrëveshjen ta nënshkruajë qeveria e re, që do të dalë nga zgjedhjet e parakohshme, që do të mbahen në 24 prill.

Ka një ngutje dhe presion të madh nga Moska mbi Beogradin, që personelit të bazës ruse t’i jepen nga qeveria serbe të drejtat, privilegjet dhe imuniteti diplomatik. Zyrtarisht baza e Nishit mban emrin qendër humanitare ruso-serbe dhe sipas komunikatave zyrtare të ambasadave ruse në Ballkan, ajo është “depo pajisjesh shpëtuese me disa makina zjarrfikëse”. Është një pretendim propagandistik, të cilin nuk e kanë përtypur dot as vetë serbët, pa le më shtetet e tjera të rajonit dhe jashtë tij.

Sepse marrëveshjen dypalëshe shtetërore për “këtë depo me makina zjarrfikëse” e ka nënshkruar vetë presidenti i Rusisë, Dmitri Medvedev, gjatë vizitës së tij në Beograd në tetor të vitit 2009. Është baza e parë ruse e këtij lloji në Europë dhe që në fillim, kur u nënshkrua marrëveshja e dy qeverive në vitin 2009 për ngritjen e kësaj baze, analiza e institucioneve të specializuara perëndimore ka pohuar karakterin subversiv dhe diversionist të saj. Siç shkruante revista prestigjioze britanike “The Economist”, me rastin e përurimit të kësaj qendre ruse: “Qendër spiunazhi ose jo, qendra është një instrument potencial për të forcuar influencën ruse në Serbi”.

Gazetari serb, Dimitrije Boarov, shkruan për bazën e Nishit: “Ky nuk është stacion zjarrfikësish dhe as një bazë klasike ushtarake. Ky është një shembull i atyre bazave, që shkojnë dorë për dorë me projektet e mëdha gjeopolitike dhe energjetike”. Dhe që baza ruse shkon përtej fushës së shuarjes së zjarreve dhe thasëve të rërës në kohën e përmbytjeve, del qartë nga mandati zyrtar i saj. Në “Planin e veprimit për mekanizmin e menaxhimit të emergjencave ndërkombëtare”, të hartuar nga Ministria ruse e Emergjencave, nga e cila varet direkt baza e Nishit, thuhet: “Qendra humanitare në Serbi mund të konsiderohet si një bazë e mekanizmit paneuropian të sigurt dhe të sigurisë me rastin e fatkeqësive dhe të krizave të përmasave të mëdha”.

Pohohet një mandat, që shkon përtej fushës humanitare, sepse krizat mund të përfshijnë që nga ato politike, shoqërore, ushtarake, diplomatike, etnike e deri konfliktet lokale.
Dyshimet bëhen edhe më të mëdha nga kërkesa ekstravagante e Rusisë, e cila kërkon që “zjarrfikësit” e saj në Serbi të gëzojnë imunitet diplomatik. Këtë kërkesë e parashtroi presidenti rus, Vladimir Putin, gjatë vizitës së tij në Beograd në tetor të vitit 2014, duke pretenduar një status të plotë diplomatik për bazën dhe për personelin. Sipas burimeve diplomatike, rusët formuluan edhe tekstin e marrëveshjes së gatshme për t’u nënshkruar.

Por kërkesa ruse ishte aq flagrante dhe aq në kundërshtim me rregullat, normat dhe konventat, që rregullojnë marrëdhëniet midis shteteve, sa që Serbia, duke mos qenë në gjendje ta refuzonte, ofroi një status imuniteti funksional. Por diplomacia ruse, e cila është mësuar që të vegjlit vetëm duhet të binden, e hodhi poshtë ofertën serbe. Kështu, marrëveshje ka mbetur pezull, me gjithë presionin e ministrit të jashtëm filorus të Serbisë për të detyruar qeverinë ta nënshkruajë me kërkesat maksimaliste ruse.

Dyshimet dhe pikëpyetjet që lindin nga kërkesa ruse për të marrë statusin e privilegjuar diplomatik për “zjarrfikësit” e saj në bazën e Nishit janë të shumta. Së pari, qendra humanitare ruso-serbe, e ngritur në Nish dhe e përuruar në vitin 2011, zyrtarisht nuk ka statusin e bazës ushtarake ruse në territorin e Serbisë. Zyrtarisht ajo ka statusin e një qendre humanitare. Mirëpo as Konventa e Vjenës dhe asnjë ligj apo traktat ndërkombëtar nuk e detyron qeveritë sovrane t’u japin të drejtën qendrave dhe organizatave humanitare të huaja status diplomatik, imunitet diplomatik dhe privilegje diplomatike.

Pyetja e thjeshtë dhe themelore është se çfarë dhe pse iu duhet “zjarrfikësve” rusë imuniteti diplomatik, i cili nuk hyn në punë as për të shuar zjarret dhe as për të hedhur thasët me rërë gjatë përmbytjeve nga shirat apo vërshimet e lumenjve, për të cilat sipas diplomacisë ruse, është ngritur kjo qendër e quajtur humanitare. Në bazë të ligjit për ratifikimin e marrëveshjes midis qeverisë së Republikës së Serbisë dhe qeverisë së Federatës Ruse për ngritjen e qendrës humanitare ruso-serbe në Nish, kjo qendër është një organizatë jofitimprurëse, që gëzon të drejtat e një entiteti legal të regjistruar në vendin pritës.

Ligji në fjalë përshkruan se personeli rus i qendrës gjatë qëndrimit të tij në territorin e Serbisë, gëzon statusin juridik të përcaktuar për stafin administrativ dhe teknik të ambasadës ruse, sipas Konventës së Vjenës. E njëjta gjë është parashikuar nga ligji për ratifikimin e marrëveshjes midis qeverisë së Republikës së Serbisë dhe qeverisë së SHBA-ve për të njëjtin objekt…

Rusia kërkon status dhe imunitet diplomatik për “zjarrfikësit” e bazës së saj në Nish, në një kohë që atyre nuk u takon aspak ky status. Bashkë me këtë, Rusia kërkon që edhe vetë baza të ketë statusin diplomatik të ekstraterritorialitetit, siç e kanë territoret e ambasadave të huaja në shtetin pritës. Kjo është akoma më e habitshme si kërkesë, sepse si mund të kërkohet statusi i ekstraterritorialitetit në një kohë që formalisht thuhet se ajo është një bazë e përbashkët ruso-serbe. Gjithkush e kupton se nëpërmjet këtij ekstraterritorialiteti, Rusia përjashton çdo të drejtë dhe sovranitet të ligjit dhe të qeverisë serbe mbi bazën, veprimtaritë dhe mbi gjithçka dislokohet dhe vepron aty.

Në qoftë se Moska e vlerëson të domosdoshme që “zjarrfikësit” e saj në Serbi të gëzojnë imunitet diplomatik, e ka më të lehtë t’i pajisë ata me pasaporta diplomatike ruse dhe ata automatikisht e fitojnë imunitetin diplomatik. Këto pretendime dhe kërkesa të palogjikshme të Rusisë ndaj qeverisë serbe për të pajisur “zjarrfikësit” me imunitet diplomatik sjellin një provë të re të së vërtetës për karakterin subversiv dhe ushtarak të bazës ruse në Nish. Një veprimtari e vërtetë humanitare nuk ka nevojë për imunitet diplomatik. Kërkesa për status diplomatik të personelit rus dhe për status të ekstraterritorialitetit të bazës tregon se veprimtaria ruse e bazës kërkon të fshihet pas proteksionit diplomatik, sepse ajo veprimtari do të jetë e mbyllur dhe e fshehtë edhe për qeverinë e Serbisë. Do të jetë një veprimtari, që mund të shtrihet jashtë kufijve të Serbisë dhe që mund ta implikojë Serbinë në acarime dhe në përplasje me shtetet e tjera dhe t’i krijojë probleme asaj në marrëdhëniet me shtetet e tjera dhe sidomos me fqinjët.

Për të gjetur një argument për kërkesën absurde të pajisjes së “zjarrfikësve” rusë me imunitet diplomatik, diplomacia ruse dhe propaganda ruse, bashkë me qarqet politike filoruse në Serbi, po bëjnë zhurmë të madhe se marrëveshja e imunitetit diplomatik për bazën duhet realizuar, siç u realizua marrëveshja e Serbisë me “NATO Suport and Procurement Organisation” dhe që u ratifikua nga parlamenti serb në 12 shkurt 2016. Këtë marrëveshje me NATO-n e sulmoi me gjuhë të pazakontë zëdhënësja e MPJ të Rusisë në 18 shkurt, duke akuzuar NATO-n se do të fusë vende të tjera në orbitën e influencës së saj gjeopolitike dhe duke akuzuar qeverinë e Serbisë se po pëson sindromën e Stokholmit dhe po bie në dashuri me dhunuesin e saj.

Në fakt, pretendimi është i pavërtetë, sepse marrëveshja me NATO-n nuk jep imunitet diplomatik, por trajton statusin juridik dhe të ankesave juridike për anëtarët e forcave të armatosura të NATO-s, që kalojnë përkohësisht në territorin e Serbisë. Duhet nënvizuar se marrëveshja me NATO-n nuk jep status diplomatik dhe as imunitet diplomatik, por përcakton statusin legal të anëtarëve të forcave të armatosura të vendeve të NATO-s, gjë që është krejt tjetër nga imuniteti diplomatik. Nga ana tjetër, duhet thënë se duke kërkuar për bazën “humanitare” të Nishit barazi trajtimi marrëveshjesh, ashtu si me NATO-n, Moska vetvetiu komprometon statusin e brendshëm ushtarak të bazës ruse në Nish.

Nga i gjithë ky problem, që është në diskutim e sipër midis qeverive të Serbisë dhe të Rusisë, për t’u dhënë “zjarrfikësve” imunitet diplomatik, del një shqetësim dhe problem i madh për Ballkanin. Është e njohur se Rusia, që në fillim e ka planifikuar këtë bazë për veprim dhe për përfshirje rajonale. Diplomacia ruse dhe ajo serbe tentuan në mënyrë intensive të tërhiqnin edhe shtete të tjera të rajonit në këtë projekt të errët të “qendrës humanitare ruse”. Por, fakti është se diplomacia ruse dhe ajo serbe ishin aq pak bindës dhe qendra humanitare ishte aq shumë e dyshimtë, sa që sot e kësaj dite asnjë shtet i Ballkanit nuk i është bashkuar asaj baze. Është një bazë, e cila edhe pesë vjet pas përurimit, ka mbetur me emrin ruso-serb dhe nuk ka qenë në gjendje të vendosë bashkëpunim me asnjë institucion europian.
Në këtë situatë është e dobishme të tërhiqet vëmendja në drejtim të disa institucioneve dhe agjencive qeveritare shqiptare. Lidhur me bazën ruse të Nishit, janë regjistruar dy gabime të autoriteteve shqiptare. Njëri në vitin 2011, kur me naivitet disa çinovnikë të administratës shqiptare kanë marrë pjesë në mbledhje të organizuara nga rusët dhe serbët në Beograd për t’i dhënë bazës së tyre dimension rajonal. Gabimi tjetër në vitin 2016, kur naiviteti i disa zyrtarëve duket e konsideroi si sukses pranimin e dy kamionëve me ndihma nga baza ruse e Nishit, në kohën e përmbytjeve në Shqipëri.

Disa zyrtarë me sa duket harrojnë se edhe kamionët me patate apo me batanije nga shtete jo mirëdashëse janë diplomaci. Shqipëria mund të pranojë në rast emergjence ndihma të drejtpërdrejta nga çdo shtet i OKB-së, duke përfshirë edhe Rusinë. Por nuk mund të pranojë ndihma nga baza e Nishit, sepse kjo përbën një qëndrim politik, që i jep legjitimitet veprimtarisë rajonale të asaj baze të dyshimtë. Në 11 maj të vitit 2015, zëvendësdrejtori i bazës së Nishit, N.Vlasenko, njoftoi se i është dërguar Shqipërisë, Maqedonisë dhe Bosnjës, drafti i një Memorandumi Bashkëpunimi, i ngjashëm me atë, që kanë nënshkruar qeveritë e Serbisë dhe të Rusisë në vitin 2009.

Kali prej druri pret te porta dhe është e qartë se pastaj duhet pritur që të kërkohet imunitet diplomatik për “zjarrfikësit” rusë në Shqipëri.
Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe duhet të ketë mësuar se NATO është e mjaftueshme për emergjencat dhe për mbijetesën e çdo lloji të shteteve anëtare. Nuk është keq të shkundet kujtesa e administratës shqiptare, duke rilexuar historinë e dhimbshme të marrëdhënieve të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar me Rusinë cariste, komuniste dhe demokratike.

(m.k/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb