NGA DORJANA BEZAT*


Policia e Mbrojtjes nga Zjarri dhe e Shpëtimit ose e njohur ndryshe si shërbimi Zjarrfikës ka për qëllim kryesore të punës së vet, sigurinë personale, duke shpëtuar jetën e njerëzve, duke ruajtur pasurinë, dhe mbrojtjen e mjedisit kryesisht nga zjarret. Prandaj mësimi i masave për të parandaluar zjarret apo minimizuar dëmet që shkaktojnë ato, janë shumë të rëndësishme. Por ndërsa konsultimet e zjarrfikësve me biznesin janë të zakonshme, inspektorët e parandalimit nuk i kryejnë dot rregullisht me komunitetin. Për të aftësuar komunitetin si të sillet në rast të një situate emergjente, Drejtoria e Shërbimit Zjarrfikës Tiranë ka organizuar disa ditë trajnim me nxënësit e shkollës së mesme “Sami Frashëri” në Tiranë, trajnim që u përmbyll me një demonstrim shuarje të zjarrit dhe evakuim të shkollës. Drejtoresha e shkollës, Teuta Dobi tha se ky projekt i vjen në ndihmë edhe kurikulës mësimore të kësaj shkolle.

Për drejtorin e shërbimit zjarrfikës në Tiranë Shkëlqim Goxhaj ky projekt i i përbashkët është shumë i rëndësishëm sepse edukon jo vetëm nxënësit por nëpërmjet tyre edhe familjet dhe miqtë e adoleshentëve, për mënyrën sesi duhet të përballojnë një situatë emergjente në rast se ndodhen në një ambient ku bie zjarr.


Demonstrimi i zjarrfikësve i zhvilluar në ambientet e kësaj shkolle i ndihmoi adoleshentët të vënë në praktikë teknika të vlefshme, si ndihmë për të shpëtuar jetët e tyre por edhe të të afërmve në rast se gjenden në një ambient të përfshirë nga flakët.


Ndër arsyet kryesore të zjarreve në zonat urbane është luhatja e tensionit të energjisë elektrike, por edhe përdorimi i bombolave të gazit të pakolauduara dhe jashtë standardeve, të cilat janë një rrezik për jetën e qytetareve . Një incident me to mund të shkaktojë zjarr me përmasa të mëdha që mund të rrezikojnë dhe jetën. Prandaj, sipas inspektorit për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimin Fatjon Xhelilaj, aftësimi i njerëzve për të menaxhuar një situatë të tillë është shumë i rëndësishëm.

Një nga shqetësimet kryesore të sallës operative të zjarrfikëseve, numri telefonik i të cilëve është 128 janë telefonat e rreme apo njoftimet false që kryhen nga qytetaret, kryesisht adoleshentët. Prandaj ky demonstrim zjarri i bërë me nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri” i ndihmoi ata të kuptojnë se sa e rëndësishme është ndërhyrja në kohë e zjarrfikëseve dhe se bllokimi i këtij numri emergjence mund t’i kushtojë jetën dikujt që është në nevojë.

(m.k/BalkanWeb)

Etiketa: