Pas zjarrit të rënë në nënstacionin Krahës ditën e djeshme, ku mori flakë transformatori i fuqisë 3.2 MVA, OSHE deklaron se nga ana e drejtorisë qendrore të Tensionit të Lartë, u morën masa për nisjen e procesit të punimeve për zëvendësimin e transformatorit të ri.

Kështu bëhet e ditur se është punuar prej ditës së djeshme, në orët e pasdites e gjatë gjithë natës për të kryer të gjitha etapat e procesit që përfshin demontimin e pajisjeve të vjetra dhe përgatitjen e territorit për vendosjen e transformatorit të ri dhe pajisjeve të tjera në nënstacion.

Konkretisht është çmontuar transformatori i dëmtuar nga vendi, janë demontuar edhe çelësat e vjetra të fiderave 10kV të amortizuar. Po bëhet lidhja e qarqeve të komandimit të këtyre çelësave dhe është vendosur çelësi i ri 110kV i Transformatorit të fuqisë, pas dëmtimit të çelësit të vjetër.

Po bëhen punimet paraprake për vendosjen e tranformatorit të ri të fuqisë dhe gjithë pajisjet e tjera të traktit 100 Kv të këtij transformatori. Janë vendosur transformatorët e rrymës 110kV të këtij Çelësi, që shërbejnë për matjen, mbrojtjen dhe sinjalizim të ngarkesës së rrymës.

Po punohet për lidhjen e qarqeve sekondare të pajisjeve të mësipërme. Po pozicionohet për vendosjen në bazament të Transformatorit të ri të fuqisë.

Në ndihmë të punonjësve të nënstacionit Krahës, janë angazhuar dhe njësi ndihmëse avaro-shpëtuese dhe personel shtesë nga njësitë e tjera të Tensionit të Lartë nga rajone të tjera për të vendosur në kohë rekord në punë nënstacionin Krahës dhe rikthimin e tij në gjendje normale.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb