Një zjarr masiv ka përfshirë mesditën e sotme kodrat me ullishte në Gorishovë, në njësinë administrative Cakran të bashkisë Fier.
Flakët janë përhapur me shpejtësi në një sipërfaqe të konsiderueshme me shkurre, ullishte dhe masiv pyjor, të favorizuara edhe nga era e fortë. Situata ka alarmuar banorët e zonës, ndërsa fatmirësisht zjarri ndodhet larg zonave të banuara.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse, të cilat po punojnë për izolimin dhe neutralizimin e flakëve. Ndërhyrja po kryhet me vështirësi për shkak të terrenit të thyer, ndërsa përhapja e zjarrit mbetet e favorizuar nga kushtet atmosferike.
Ky është zjarri i dytë masiv që përfshin zonën e Cakranit brenda dy ditësh. Një ditë më parë, flakët përfshinë kodrat e Kreshpanit, ku u dogjën rreth 2 mijë rrënjë ullinj, si dhe një sipërfaqe e konsiderueshme toke.
Autoritetet vijojnë punën në terren për vënien nën kontroll të situatës dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të flakëve.
