VLORË- Zjarri që ka përfshirë prej dy ditësh një sipërfaqe pyjore në afërsi të parkut kombëtar të Llogarasë vijon të jetë aktiv megjithë ndërhyrjet nga toka dhe nga ajri.

Dhjetëra hektarë pyje dhe shkurre në zonën e Dukatit janë përfshirë nga flakët, ndërsa rrezikohet Parku i Llogorasë. I gjithë reparti zjarrfikës, efektivë të FA-së dhe dy helikopterë të ushtrisë vijojnë punën për shuarjen e vatrave të zjarrit.

Zjarri u arrit të vihej nën kontroll rreth orës 04:00 të mëngjesit të së mërkurës, por ka nisur sërish të përhapet. Temperaturat e larta të shoqëruara me erëra, kanë bërë të mundur përhapjen e shpejt të flakëve.

Pranë vendit të ngjarjes ndodhet edhe kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli, i cili po ndjek nga afër situatën. Ai u shpreh në një prononcim televiziv se situata është në kontroll dhe banesat nuk rrezikohen nga zjarri.

“Situata është në kontroll, po punohet me mbështetjen e FA-së dhe zjarrfikësve, janë 100 trupa në terren, po vijnë edhe 100 të tjerë. Deri tani nuk duket që të ketë rrezik për shpërndarje të zjarrit në parkun e Llogarasë. Është djegur një sipërfaqe e madhe e pyllit, por flakët po dominohen, po punohet ditë e natë, dy helikopterë janë duke u përpjekur për të shuar zjarrin dhe them që nga nesër të ketë dislokim më të fortë të trupave dhe një punë më impenjative. Deri tani banesat dhe qytetarët nuk rrezikohen. Po hetohet, pasi zjarrvënia dyshohet se ka qenë e qëllimshme”, deklaroi ai.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb