Këtë mëngjes ka rënë intensiteti i flakëve. Pas orës 10 të mëngjesit do të shihet më qartë nëse do ketë agravim të situatës apo jo (nga era) e nëse po do ketë ndërhyrje nga ajri.
Gazetarja Lorena Kodra raporton për Balkanweb se vatrat aktualisht janë të veçuara nga njëra-tjetra, teksa po mbahen nën kontroll. Zjarri është në një territor të thyer dhe në një distancë të largët nga zonat e banuara. Prej orës 05:30 të mëngjesit të sotëm të gjitha forcat janë angazhuar në terren.
Në terren ditën e sotme kanë zbritur rreth 70 forca, te shërbimit të MZSH-ve, të Forcave të Armatosura te Repartit Ushtarak Drenovë (Korçë), atyre të Agjencisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura, shërbimit pyjor, etj.
E gjithë sfida është që të mos preket bimësia e lartë, forcat po bëjnë të pamundurën për të izoluar flakët dhe ngushtuar perimetrin. Sipërfaqja e djegur deri tani me përafërsi është 200 hektarë, pjesa më e madhe me kullota dhe një pjesë e vogël e sipërfaqes është prekur kurora e gjelbër.
(Balkanweb)