Nga ARMIR MEHAJ

PUKE- Zonat e thella malore në territorin e Pukës vijojnë ende të jenë të bllokuara, ndonëse reshjet e borës kanë pushuar prej kohësh.

Një helikopter i flotës së përballimit të emergjencave shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë u detyrua të ndërhyjë duke sfiduar vështirësitë e terrenit në fshatin Berish të njësisë administrative Iballë, Bashkia e Fushë-Arrëzit, ku një grua ishte e sëmurë.

E moshuara, e cila ishte e sëmurë prej katër ditësh, sot ka shfaqur dhe probleme kardiake, të cilat e bënë të detyrueshëm ndërhyrjen nga ajri.

Ajo u transportua drejt urgjencës së spitalit të Pukës ku dhe po mbahet nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të mjekëve, pasi ju shfaqen kolika renale, problem shëndetësor që në rast neglizhence mund t’i rrezikonte dhe jetën.

“Në fshatin tonë ka tre metër dëborë. Çdo gjë është e mbuluar nga akulli, dhe se di kur do mund të lëvizim edhe nëpër shtigjet e fshatit. Sivjet dimri ka qenë i ashpër fort”, thotë gruaja e moshuar teksa e sjellin në mjediset e urgjencës së spitalit të Pukës.

Zonat e thella vuajnë ende pasojat e motit dhe temperaturave që janë disa gradë nën zero.

Gjatë kësaj periudhe Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Shëndetësisë vetëm në zonën e Pukës kanë bërë të mundur transportin e 12 emergjencave shëndetësore, të gjitha të realizuara nga ajri.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb