Nga Armida Plangarica
Në një hark kohor 10 ditor, një vajzë 22-vjeçare, emigrante në Greqi, u gjet nga policia greke e dhunuar barbarisht nga bashkëshorti që e konsideronte pronë të tijën dhe vetëm.
Shtypi grek e përmendi si rast nga më të dhunshmit të dhunës brenda familjes. Shtypi shqiptar kopjoi lajmin dhe mbeti në faktin që një shqiptare si dhe shumë të tjera u dhunua nga i shoqi.
Ndërkohë që u kalua pothuajse i pa prekur fakti që kjo vajzë emigrante,nënë e një fëmije, emigroi 2-3 vjet më parë në Greqi. Natyrisht askush nuk pyeti nëse qëndrimi i saj ishte konform rregullave të emigrimit. Ndoshta historia e saj do të ishte shkruar ndryshe nëse do të ishte deklaruar diku.
Në Itali para katër ditësh një zonjë 35-vjeçare emigrante shqiptare u ekzekutua nga i shoqi. Shoqëria vendore u trondit. Shtypi jep lajmin e radhës dhe vetëm tani rezulton që viktima ishte dhunuar psikologjikisht në mënyrë sistematike nga i shoqi,i cili dje u gjet i vetëvrarë.
Para dy ditësh në Greqi,një zonjë emigrante shqiptare ra viktimë e punës në kushte të rrezikshme. Dëshmitare e skenës së tmerrit qe e bija 17-vjeçare e cila e ndihmonte në punët që ndërmerrte e ndjera për të rritur dy fëmijët e saj. Ishte nënë e divorcuar, emigroi dy vjet më parë në Greqi dhe pastronte dyqane. Pikërisht në një prej tyre humbi edhe jetën. Makina grirëse e mishit e copëtoi duke copëtuar shpirtërisht një herë e përgjithmonë edhe fëmijët e saj.
Shtypi iu referua si rast makabër, por edhe këtu heshtja për mënyrën e emigrimit të kësaj nëne me dy fëmijë, mënyra e punësimit dhe mbi të gjitha kushtet e sigurisë në të tilla pune,nuk u përmendën edhe këtë herë. Asnjë organ kompetent shqiptar dhe grek nuk iu referua dy rasteve kaq të paprecedentë, që në fakt krijojnë pikëpyetje të mëdha për sa i përket kushteve
të familjeve shqiptare që jetojnë në Greqi dhe mbi të gjitha nuk ka asnjë prononcim deri tani të zyrtarëve shqiptarë kompetentë, që në vazhdim të merren masa konkrete për parandalimin e dhunës dhe shfrytëzimit të njeriut nga njeriu. Asnjë prononcim për zonjat shqiptare që emigrojnë, punojnë dhe jetojnë në kushte të dyshimta, në një kohë kur ka hapësirë për mbrojtje individuale me emigracion të kontrolluar dhe të ligjshëm.
Funksionimi i një organi regjistrues dhe mbrojtës është i domosdoshëm në përfaqësitë tona diplomatike, të cilat duhet të kthejnë sytë nga qytetarët shqiptarë si institucion që i përfaqëson, i mbron dhe i mbështet.
Gjaku i tre zonjave emigrante dhe i shumë të tjerëve e të tjerave që humbën jetën në të tilla kushte, fshin termin glamuroz “DIASPORË” dhe shkruan termin e EMIGRANTIT TË LËNË NË MËSHIRË TË FATIT.
* Armida Plangarica, sipërmarrëse, Selanik, Greqi