Këshilli i Lartë i Prokurorisë pranoi sot pjesërisht kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për procedim disiplinor për magjistratin Agron Bushati, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për zvarritje të pajustifikuar në nxjerrjen e urdhrit të ekzekutimit për vendim penal të formës së prerë.
KLP caktoi si masë disiplinore ndaj prokurorit atë të “vërejtjes publike”.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka kryer hetimin disiplinor me nismë të një ankuesi, që i është drejtuar ILD-së me ankesë ndaj magjistratit, për zvarritje mbi 3-vjeçare në nxjerrjen e urdhrit të ekzekutimit të vendimit penal për ankuesin. Bushati akuzohet se ka lënë në paraburgim të arrestuarin për 3.9 vite.
Nga hetimi disiplinor i kryer nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, rezultoi se magjistrati subjekt hetimi disiplinor, si prokurori me përgjegjësinë e zyrës së ekzekutimit të vendimeve penale, ka vonuar në mënyrë të pajustifikuar, për një kohë prej 3 vjet e 9 muaj, nxjerrjen e një akti procedural në shkelje të dispozitave ligjore.
Nga hetimi disiplinor u konkludua, se veprimet apo mosveprimet e magjistratit, përbëjnë shkelje disiplinore, që cenojnë figurën e magjistratit dhe besimin e publikut tek drejtësia. Inspektori Lartë i Drejtësisë i propozoi Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që prokurorit Agron Bushati, t’i caktohet masa disiplinore “Ulja përkohshme e pagës deri në 40% për një periudhë deri në 1 vit”.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë pranoi pjesërisht kërkesën, duke caktuar si masë disiplinore ndaj prokurorit atë të “vërejtjes publike”.