ZVICËR- Grindelwald, vendpushimi i bukur për skijim, në Oberland të Bernës, në këmbët e alpeve Eiger, pret nga 18 deri më 23 janar 2016, edicionin e 34-t të Festivalit Botëror të Borës.

Manifestimi është një celebrim i vërtetë i artit për të realizuar skulptura akulli dhe si gjithmonë tërheq artistë me famë ndërkombëtare që e bëjnë materialin e ngrirë dhe të bardhë një përqendrim të vërtetë arti dhe krijimi. Tema me të cilën do të punojnë pjesëmarrësit është “Harmonia”.

Festivali Botëror i Borës ka filluar që në vitin 1983, si një prej eventeve më në zë të sezonit dimëror, duke tërhequr një interes gjithmonë e më shumë në rritje. Në muajin janar rrugët qendrore të vendit, zbukurohen me skulptura të mëdha të ngrira, e para e të cilave rreth 30 vite më para ishte një imazh gjigand i Haidit, vepër e një ekipi artistësh japonezë.

Një juri ekspertësh të skulpturave të akullit do të vlerësojë këto vepra arti gjigande, duke përdorur si kritere vlerësimi aktualitetin, origjinalitetin dhe mjeshtërinë me të cilën është realizuar punimi. Edhe publiku është thirrur për të shprehur mendimin e tij dhe vlerësimi i tij do të merret në konsideratë në vlerësimin e jurisë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: