GJENEVË- Një hap tjetër u mor sot nga ana e autoriteteve zvicerane për heqjen e sekretit bankar në llogaritë bankare të zotëruara nga shtetasit evropianë jorezidentë në Zvicër, nga janari i vitit 2017.

”Qeveria zvicerane miratoi sot zyrtarisht marrëveshjen për shkëmbimin automatik të informacioneve në çështjet e taksave me BE-në dhe e ka kaluar për miratim në dy dhomat legjislative, Këshilli Kombëtar dhe Këshilli i Shteteve”, referuar një komunikate të lëshuar nga Konfederata Zvicerane.

Marrëveshja përfshin plotësisht rregullat e OECD-së për shkëmbimin automatik të informacioneve, sipas së cilave janë bashkuar tashmë 100 shtete.

Pas hyrjes në fuqi të planifikuar më 1 janar 2017, marrëveshja midis Zvicrës dhe BE-së do të mundësojë shkëmbimin e parë të të dhënave duke nisur nga viti 2018, me kusht që procedurat e miratimit të përfundojnë në kohë në Zvicër dhe brenda BE-së.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: