TIRANË- Një grant i ri nga qeveria zvicerane do të mbështesë institucionet shqiptare që të zhvillojnë kapacitetet për krijimin e një tregu të gazit, për zbatimin me sukses të investimeve të mëdha, dhe për të përfituar nga Gazsjellësi Trans Adriatik.

Ambasadorja Beatrice Maser, Drejtore në Sekretariatin Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) së bashku me ministrat Damian Gjiknuri dhe Shkëlqim Cani nënshkruan një marrëveshje të re sot e cila përkushton 6.6 milion euro për zhvillimin e tregut vendas të gazit, zbatimin e projektit TAP dhe menaxhimin e projekteve të mëdha infrastrukturore.

“Jam e lumtur t’ju njoftoj që pak çaste më parë nënshkruam Marrëveshjen e Projektit për Ndërtimin e Kapaciteteve për Zhvillimet e Mëdha të Infrastrukturës së Gazit në Shqipëri”, tha Maser. Ajo theksoi se projekti dhe investimet e TAP janë të një rëndësie të lartë strategjike për Shqipërinë.

Ndërmjet rezultateve të pritura nga ky kontribut ajo përmendi: sigurinë e përmirësuar të energjisë përmes diversifikimit te burimeve; rritjen ekonomike përmes një kuadri të forcuar për investime; reduktimin e ndotjes përmes uljes së importeve të energjisë që vjen nga burimet fosile.

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, falënderoi qeverinë zvicerane për mbështetjen e vazhdueshme për sektorin e energjisë në Shqipëri. “Me qeverinë zvicerane ne tashmë kemi një program intensiv për diversifikimin e burimeve energjetike përmes këtij fondi të rëndësishëm që i shërben objektivit strategjik të gazifikimit të vendit”, tha Gjiknuri.

Ndërsa Ministri i Financave, Shkëlqim Cani u fokusua në bashkëpunimin e frytshëm midis dy qeverive. Ai falënderoi autoritetet zvicerane dhe Ambasadoren Maser për kontributin dhe përkushtimin në këtë bashkëpunim të veçantë me Shqipërinë.

Ndërsa fillon zbatimi i projektit TAP, ky kontribut i fundit i Zvicrës synon të përmirësojë kapacitetet e institucioneve shtetërore për menaxhimin e tregut të sapo-shfaqur të gazit në Shqipëri. Ndërmjet viteve 2011 dhe 2013 Zvicra lehtësoi hyrjen e Shqipërisë në projektin TAP duke krijuar kushtet e përshtatshme të kuadrit dhe duke përgatitur terrenin për një furnizim të mundshëm me gaz të vendit.

Ambasadorja Maser përgëzoi qeverinë për nismat dinamike të reformave dhe inkurajoi një zbatim të plotë të rregullave, procedurave dhe standardeve të qeverisjes së mirë.

Marrëveshja e re do të synojë të përmirësojë kapacitetet teknike dhe menaxheriale të administratës publike në sektorin e ri të gazit veçanërisht në lidhje me projektin TAP. Gjithashtu, prezantimi i infrastrukturës së gazit ka potencialin që të reduktojë kostot e energjisë dhe të ulë importet nga burimet fosile të vendeve fqinje, duke kontribuar kështu në reduktimin e efekteve serrë.

Zvicra ka mbështetur sektorin energjetik në Shqipëri në fushën e sigurisë dhe infrastrukturës së digave që nga fillimi i viteve 90, dhe po konsideron eficiencën e energjisë si një fushë e re ndërhyrjeje.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb