TIRANE – Zyrtarë të lartë të Shtetit Shqiptar, ditën e shtunë vizituan segmentin Vithkuq-Shtyllë në Qarkun e Korçës i cili po rehabilitohet në kuadër të rrugëve dhe urave ndihmëse të projektit TAP. Zëvendës Kryeministri, z. Niko Peleshi, Ministri i Energjisë dhe Industrisë, z. Daminan Gjiknuri, dhe kryetari i Bashkisë së Korcës, z. Sotiraq Filo, të shoqëruar nga drejtuesit e projektit TAP në Shqipëri, u njohën në terren me ecurinë e kësaj faze të projektit duke u informuar mbi cilësinë e punimeve, me standardet e larta të sigurisë teknike në punë por edhe me vështirësitë teknike që paraqet terreni I thyer shkëmbor në rikonstruksionin e këtij segmenti rrugor.

Vetëm gjatë kësaj faze të projektit, TAP parashikon rehabilitimin e afërsisht 62 kilometrave rrugë, rehabilitimin e 42 urave si edhe ndërtimin e 2 urave të reja përgjatë gjurmës së gazsjellësit në qarqet e Korçës, Beratit dhe Fierit. Rehabilitimi i rrugëve dhe urave do të mundësojë vijimin e fazave të mëtejshme në ndërtimin e pjesës shqiptare të gazsjellësit TAP. Drejtuesit e TAP detajuan ecurinë për rrugët dhe urat ndihmëse, punime të cilat po zhvillohen ne perputhje me kalendarit të parashikuar për të krijuar të gjitha kushtet e nevojshme për fazat e mëtejshme ndë ndërtimin e projektit.

Z. Shkëlqim Bozgo, Manaxher i TAP për Shqipërinë u shpreh se: “Ecuria e punimeve po shkon sipas planifikimeve që ne këmi bërë. Presim që nga fundi i janarit ose fillimi i shkurtit të vijnë në Shqipëri tubat e para për të filluar transportimin e tyre nga muaji mars përgjatë korridorit të tubacionit. Synimi është nga mesi i vitit që vjen të fillojmë punimet reale për hapjen e trasesë së tubacionit dhe ndërtimit real të tij.”

Ministri Gjiknuri tha se aktualisht është faza e punimeve të rëndësishme civile do të fillojë vitin tjetër. “Viti 2016-2017, do të jetë dhe viti kryesor ku do të disbursohet pjesa më e madhe e parave dhe do të ketë një ndikim imediat në ekonominë shqiptare. Sot që flasim, kemi 1050 persona të punësuar dhe kjo është goxha me impact për komunitetet këtu. Patjetër, qeveria shqiptare po bashkëpunon me kompaninë TAP edhe për të adresuar problemet e komunitetit. Këto ndërhyrje në infrastrukturë sjellin padyshim avantazhe por shoqërohej dhe me probleme dhe ne sot me zv.kryeministrin erdhëm vet për ti parë, ashtu sikurse për të menduar se si mund të përmirësojmë efektet tek komuniteti në terma afatgjatë”, theksoi ministri Gjiknuri.

Ndërkaq, zëvëndës Kryeministri Niko Peleshi vlerësoi rëndësinë e projektit dhe gjithashtu nevojën për një bashkëpunim sa më të mirë me komunitetet lokale. “Është një projekt ndërkombëtar por i rëndësishëm për ekonominë tonë kombëtare, që në fazën e ndërtimit, për shkak të numrit të madh të të punësuarve, për shkak edhe të rrugëve të aksesit të cilat japin lidhje dhe frymëmarrje edhe komuniteteve tona aty ku projekti kalon. Në vazhdimësi, natyrisht deri tek siguria kombëtare ky është një projekt shumë i rëndësishëm”, u shpreh Peleshi.

Rehabilitimi i infrastrukturës rrugorë është një ndihmë edhe për komunitetet përgjatë gjurmës së gazsjellësit pasi do të lehtësojë levizshmërinë dhe lidhjen e tyre me qytetet dhe tregje më të mëdha për tregtimin e prodhimeve të tyre.

TAP është një nga projektet më të mëdha e më të rëndësishëm energjetik jo vetëm për Shqipërin por edhe për rajonin e europës jug-lindore. Nga gjatësia e tij afërsisht prej 878 km, rreth 215 km do të përshkojnë Shqipërinë (afërsisht 79 km ne qarkun e Korçës, 97 në qarkun e Beratit dhe 36 në atë të Fierit).

Rreth Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP)
TAP-i do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigante e Shah Denizit II, në Azerbajxhan, në Evropë. Tubacioni, i gjatë 878 km, do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në kufirin turko-grek në Kipoi, duke kaluar përmes Greqisë dhe Shqipërisë dhe Detit Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë së Jugut.

Rruga që përshkon TAP-i mund të lehtësojë furnizimin me gaz të disa vendeve të Evropës Juglindore, përfshirë Bullgarinë, Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë dhe të tjera. Dalja në tokë e TAP-it, në Itali, ofron mundësi të shumta për transportimin e mëtejshëm të gazit natyror të Kaspikut në disa nga tregjet më të mëdha evropiane, si Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Zvicra dhe Austria.

TAP-i do të nxisë zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës përgjatë rrugës së tubacionit; ai do të jetë një burim i madh i investimeve të huaja direkte dhe kjo nuk varet nga grante apo subvencione. Pas shitjeve të para të gazit në Gjeorgji dhe Turqi, të synuara për fund-vitin 2018, prurjet e para në Evropë do të fillojnë përafërsisht me fillim-vitin 2020.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: