TIRANE – Zëvendësministri i Jashtëm për Çështje Europiane i Greqisë, Nikolaos Chountis do të zhvillojë një vizitë dyditore, të hënën 23 dhe të martën 24 shkurt, në Tiranë, ku do të marrë pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të SEECP (Procesi i Bashkëpunimit të Europës Juglindore). Vizita e zv/ministrit grek vjen në një kohë kur mes Shqipërisë dhe Greqisë është riaktivizuar çështja e projektit për devijimin e lumit Vjosë, për të cilën Gjykata e Lartë greke pritet që të japë një vendim në muajin mars.
Në axhendën e Chountis parashikohen takime me Kryetarin e Parlamentit, Ilir Meta, me kreun e PD-së dhe, Lulzim Basha, si dhe të nesërmen do të marrë pjesë në një darkë pune, e cila organizohet nga ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, për nder të pjesëmarrësve në Takimin Ministerial. Ndërkohë, të martën zv/ministri i Jashtëm për Çështje Europiane do të marrë pjesë në takimin e ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të SEECP (9:30-15:00), në kuadër të të cilit do të takohet dhe me ministrin e Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati.
Pjesë e axhendës së tij dyditore në Tiranë është edhe takimi me kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos, si dhe pjesëmarrja në pritjen që do të organizojë PBDNJ, me rastin e përvjetorit të 23-të të themelimit të saj.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb