Nga: OLA MITRE*
TIRANE – Grupi i posaçëm i ngritur nga Ministria e Shëndetësisë ka përfunduar hetimet për rastin e videoskandalit të regjistruar në Urgjencën e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku një vajzë e mitur ngacmohej seksualisht nga disa të rinj. Ndërkaq, përmes kësaj interviste, dhënë për “Gazeta Shqiptare”, zëvendësministrja e Shëndetësisë, njëkohësisht kryetare e grupit të posaçëm, Milva Ekonomi tregon në detaje gjithçka ka ndodhur mëngjesin e datës 26 prill 2014, kur 17-vjeçarja ka qëndruar në spital për rreth 2 orë e 30 minuta. Ndërkohë që, në lidhje me shërbimin e rojeve private që operojnë në QSUT, Ekonomi shprehet se në përgjithësi skema funksionon, por pas këtij rasti duhet të rriten monitorimet për zbatimin e kontratës së lidhur me firmën përkatëse.
Znj. Ekonomi, ju jeni në krye të grupit të posaçëm të ngritur nga Ministria e Shëndetësisë për hetimin e videos, ku një e mitur ngacmohej seksualisht në Urgjencës e QSUT-së. Deri ku kanë arritur hetimet tuaja?
Ne shkuam në QSUT dhe morëm faqen e regjistrit. Pamë që në faqen e regjistrit të shtrimeve, për vajzën është hapur kartelë ditore në datën 26.04.2014, në orën 4:00 të mëngjesit. Pacientja ishte një vajzë e sjellë nga dy shoqërues, që ishin shokët e saj. Diagnoza që iu vu ishte intoksikacion nga alkooli në gjendje stupori (shoku) dhe ndërkohë iu dha ndihma, që është shënuar edhe në regjistër. I është dhënë një litër serum me 2% glukozë. Më pas iu injektua një 500 CC me 20% glukozë. Pasi mbaron ky trajtim, vajza kalon në observacion dhe lihet në vëzhgim nga dy djemtë që e kishin shoqëruar dhe që ishin shokët e saj. Ndërkohë që, ashtu siç është shënuar edhe në kartelë, policia merr në telefon familjarët, – sepse vajza është 17 vjeçe dhe nuk është në moshë që i lejohet konsumimi i alkoolit, – për të ardhur për ta marrë. Në orën 6:30, vajza vendos firmën e vet në kartelë dhe del nga spitali. Kjo është gjendja që ne kemi parë, duke verifikuar regjistrin dhe të dhënat. Pra, pas dhënies së mjekimit, vajza, sipas protokollit, është lënë në gjendje observimi.
Ju si grup i MSH, i keni mbyllur hetimet?
Pjesa jonë si shëndetësi ishte kjo. Për hetimet u ngritën tri grupe: policia, prokuroria dhe MSH, por ata vazhdojnë pjesën e tyre të hetimeve. Ne tonat i kemi kryer.
Pra, sipas verifikimeve tuaja, vajzës i janë kryer të gjitha trajtimet shëndetësore…
Po, i është dhënë menjëherë ndërhyrja, ka vepruar edhe policia, i është bërë protokolli i observimit, është lajmëruar familja, sepse ajo ishte adoleshente, dhe më pas ka dalë nga spitali.
Ju thatë që mjekët e Urgjencës kanë zbatuar protokollin e mjekimit. Kjo do të thotë se për ta nuk do të ketë masa penalizuese?
Për mjekët nuk do të ketë masa dhe, për fatin e mirë edhe të vajzës, atë natë ka qenë prezente në Urgjencë edhe një mjeke toksikologe, që i ka dhënë shërbimin ashtu si duhet. Ndaj, besoj se nuk do të ketë masa penalizuese ndaj mjekëve.
Po për personin e tretë, që ishte i pranishëm dhe që aktualisht është arrestuar nga policia e që rezulton se ishte sekser funeralesh?
Ngjarja është e datës 26.04.2014, ndërkohë që në periudhën e verës (qershor-korrik) janë marrë disa masa të forta organizmi, sipas të cilave, personat e funeraleve nuk afrohen te pjesa e shërbimeve. Pra është ndërprerë që nga vera e vitit që kaloi dhe ata nuk janë më prezentë; po ashtu edhe shërbimi i Urgjencës është përmirësuar, sepse është vendosur sistemi i triazhit, i dritëzimit dhe sistemi i sinjalistikës. Megjithatë, duhet të kemi parasysh që në Urgjencë të shoqëron dikush: mund të jenë të afërm, njerëz që mund të të gjejnë në rrugë, sepse mund të të bjerë të fikët, pra ti ke shoqërues në Urgjencë.
Mendoni se për pjesën e rojeve private duhet të ketë një intensifikim kontrollesh?
Ne si Ministri e Shëndetësisë mendojmë se shërbimi i rojeve është një shërbim që nuk e jep Policia e Shtetit. Për këtë shërbim ti paguan kompanitë private. Në momente të caktuara ne iu kemi bërë gjithmonë thirrje spitaleve, që në periudha të veçanta, si prag festash, sezoni i verës, që ka ngjarje të mëdha, si për shembull ardhja e Papës, shërbimi i policisë private e sigurisë intensifikohet dhe në ndonjë rast të caktuar ti kërkon edhe ndërhyrjen e Policisë së Shtetit. Por, ne nuk mendojmë se ata nuk punojnë mirë. Ajo që mund të mendohet është se ti i ke dhënë një kontratë, ndodhi ky rast dhe ti duhet ta monitorosh më mirë se si e ka zbatuar ai kontratën, sepse nuk është se skema nuk funksionon; skema funksionon.
Ju si Ministri Shëndetësie, do të ndërmerrni ndonjë masë të mëtejshme?
Ne presim që të përfundojnë hetimet prokuroria dhe policia dhe të kemi një vendim përfundimtar.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: