Shqipëria do të ketë një stadium të kategorisë së katërt, referuar standardeve të UEFAs, të cilit i mungon vetëm kriteri i kapacitetit (mbi 35 000) për të pasur kategorinë maksimale, atë të pestë. E teksa kjo mangësi ka qenë e projektuar që në start, përgjatë punimeve, zbatimi i projektit duket se ka pësuar ndryshime.


Fillimisht, u tha dhe u deklarua se do të jetë një stadium që do të ketë një kapacitet prej 22 000 vendesh të pranishme, por së fundmi diçka e tillë është reduktuar.


ZVOGËLIMI – Gazeta “Panorama Sport” ka mësuar se bëhet fjalë për një kapacitet afro 21 777 që do të ketë impianti në momentin që do të përfundojë ndërtimin. Një ulje e cila zyrtarisht deri më tani është shpjeguar me rritjen e hapësirave mes stolave dhe që në projekt ka sjellë reduktimin e 223 vendeve.


Stadiumi

Impianti është modern dhe shumë gjigand për vendin tonë, teksa është i pari që do të jetë me dy kate dhe në formën e një teatri. Së fundmi, janë provuar edhe dritat dhe sistemi i ndriçimit do të jetë i formës “LED”, bashkëkohor dhe modern, ndryshe nga stadiumet tradicionale me 4 kulla ndriçimi në skaje.

INAUGURIMI – Është premtuar si nga FSHF, ashtu edhe nga kreu i qeverisë, Edi Rama, se stadiumi do të inaugurohet në ndeshjen e fundit që Shqipëria do të luajë gjatë këtyre kualifikueseve, kundër Francës. Kryeministri Rama ka bërë me dije se impianti do të jetë gati për sfidën ndaj kampionëve të botës.

Etiketa: