Zëvendëspresidentja e Parlamentit Europian, Ulrike Lunacek, një adhuruese e natyrës shqiptare është nga lobueset me të forta kundër ndërtimit të hidrocentraleve në lumin e Vjosës. “Lumi i Vjosës është i vetmi ne Europë, që është ne rrjedhje të lire”, ka pohuar ajo gjatë një takimi me gazetarë nga Shqipëria në Parlamentin Europian në Bruksel.
Është e vërtetë që Shqipëria ka nevojë për energji, thotë ajo, por jo në këtë lumë.
Në këtë zonë, sugjeron ajo, Shqipëria mund të bejë investime në ekoturizëm.
Lunacek thotë se ajo ia ka shprehur dhe kryeministrit shqiptar mendimin e saj, por gjithsesi shton se në Shqipëri tani e gjithë vëmendja është e përqendruar te zgjedhjet.
Lunacek, që ka vizituar kanionet e Vjosës, pohon se nuk ka një studim të qartë për të evidentuar se çfarë flore dhe faune ka në atë zonë.
“Para çdo projekti është shume e rëndësishme të bëhet vlerësimi mjedisor”.
Ajo shprehet skeptike nëse vlerësimi që po bëhet nga firma turke është në linjë me standardet europiane të energjisë, një element që është shumë i rëndësishëm.
Po të bllokohet uji, flora nuk do te mbijetojë, ndërsa nuk dihen as pasojat e përmbytjeve të banorët, duhen bërë seanca dëgjimore me ta.
“Ndërtoni HE-e të tjera, por ju lutem lëreni Vjosën”, është mesazhi final i zëvendës presidentes së Parlamentit Europian.
Projektet e mëdha mbi Vjosë
Deri më tani qeveria shqiptare ka dhënë lejen për të ndërtuar një hidrocentral në Lumin e Vjosës ai i Poçemit.
Tenderi i zhvilluar në mars të vitit 2016 ka shpallur fituese për ndërtimin e këtij HEC-i kompaninë turke Çinar-San Hafriyat Nakliyat inşaat Turizm Sanayi Ve Ticaret Limited Şirketi.
Sipas marrëveshjes koncesionare, kompania turke do të investojë rreth 100 milionë euro për hidrocentralin e Poçemit. Koha e ndërtimit është parashikuar 3 vite, ndërsa sasia e prodhimit do të jetë 95 MW kilovat/orë energji në vit. Poçemi do të bëhet hidrocentrali i dytë më i madh i dhënë me koncesion për nga niveli i prodhimit, pas projektit të kaskadës së Devollit.
HEC-i Poëemit është i dyti në rrjedhën kryesore të Lumit pas atij të Kalivaçit që ka dështuar të ndërtohet deri më tani për shkak të problemeve që ka kaluar kompania e kontraktuar për ndërtimin e tij.
Studimi i studios franceze Sogreah e cila analizon skemat e mundshme të shfrytëzimit të potencialit ujor të lumit Vjosa, të cilin qeveria shqiptare ka si referencë parashikon ndërtimin e 25 hidrocentraleve në Lumin Vjosë.
Monitor zotëron të plotë studimin prej 140 fq. të studios “Soegrah”, me titull ” Consultants’ services for assessment of Power generation potential of selected Albanian rivers“.
Kapaciteti i instaluar i propozuar,sipas Sogreah për lumin Vjosa është 458 MW dhe prodhimi i energjisë parashikohet të 1810 GWh, duke përfshirë edhe Kalivaçin. Këto shifra janë të përafërta me studimet e deritanishme që shohin një kapacitet prodhimi prej 498 MW në Vjosë.
Ndër 25 HEC-e projektuara në Vjosë më të mëdhatë janë ai i Kaludhit, Dragotit, Kalivaçit, Pocemi dhe Karbonarit.
Lumi Vjosa rrjedh në jug të Shqipërisë. Gjatësia e saj është 272 km nga të cilat 80 km janë në Greqi. Ujëmbledhësi i saj është rreth 6704 km2 nga të cilat 4365 km2 në territorin e Shqipërisë Lartësia mesatare e pellgut parashikohet 855 metër. Burimi i Vjosës është malet e Pindit në Greqi.
Lumi hyn në Shqipëri në Perat. Në Shqipëri deri në Urën e Dragotit lumi rrjedh nëpër një luginë relativisht të ngushtë me përjashtim të disa pjesëve të vogla të gjera me tarraca të ulëta të vendosura në të dy anët e lumit. Midis Këlcyrës dhe Dragotit lumi rrjedh nëpër grykën Këlcyrë.
Pas Selenicës brigjet e lumit janë më të buta dhe të më të ulëta. Vjosa derdhet në detin Adriatik në afërsi të fshatit Poro në veri të lagunës së e Nartës.
Nëse projektet e HEC-ve vihen në zbatim popullsia që rrezikon evakuimin është rreth 35 000 persona.
Ndërtimi i HEC-ve në Vjosë ka hapur prej citesh një debat të madhe ndër ambientalistë, të cilët e kanë konsideruar një dëm të madh që i bëhet biodiversitetit.
Vitin e kaluar rreth 50 profesorë dhe studiues nënshkruan një kërkesë drejtuar Ministrisë së Mjedisit në Shqipëri për zbatimin e një moratoriumi 3-vjeçar mbi ndërtimet në lumin Vjosë dhe degët e saj
Më herët gjatë zgjedhjeve vendore të vitit 2015 Kryeministri Edi Rama kishte premtuar edhe njëherë se do të ndalonte ndërtimin e HEC-ve mbi lumin më unik të Europës. Por premtimi nuk është mbajtur teksa kompania turke ka nisur procedurat për ndërtimin e objektit. /Monitor/