Bisedimet midis Britanisë dhe Bashkimit Evropian për marrëveshjen e Brexit-it, apo daljes së Britanisë nga BE-ja, do të intensifikohen, tha zyra e kryeministrit britanik, Boris Johnson.

Komunikata pason takimin e Johnsonit në Luksemburg me presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker. “Dy udhëheqësit u pajtuan që bisedimet duhet të intensifikohen dhe që takimet, së shpejti, të zhvillohen në baza ditore”, thuhet në komunikatë.

Sipas së njëjtës, Johnson nuk do të kërkojë shtyrje të Brexit-it përtej 31 tetorit. Johnson këmbëngul se Brexit-i duhet të ndodhë në këtë datë, me ose pa marrëveshje me BE-në mbi kushtet e divorcit.

Vitin e kaluar, paraardhësja e Johnsonit, Theresa May, ka arritur marrëveshje me BE-në për Brexit-in, por ajo është refuzuar tri herë nga Parlamenti – çfarë e ka detyruar Mayn të japë dorëheqje.

Kundërshtimet e marrëveshjes kanë pasur të bëjnë kryesisht me politikat që i parashihte në kufirin me Irlandën. Pas takimit të hënën, zyra e Junckerit tha se Britania nuk ka dalë ende me propozime që do t’i zëvendësonin këto politika.

Institucionet financiare e kanë paralajmëruar Britaninë për pasoja të rënda ekonomike nëse ajo e lë BE-në pa marrëveshje. Qytetarët britanikë kanë vendosur për Brexit-in në një referendum të mbajtur në vitin 2016. /Rel/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: