“Arena Kombëtare” është në detajet e fundit përpara ceremonisë inauguruese, e cila do të zhvillohet në ndeshjen me Francën më datë 17 nëntor. Punimet janë drejt fundit dhe gjithçka pritet të jetë në perfeksion për ndeshjen e fundit eliminatore për Euro 2020. Federata Shqiptare e Futbollit ka përcaktuar të enjten, gjatë hedhjes së shortit të kampionatit të futbollit të femrave, se ndeshja testuese e impiantit më modern në vend, e cila është e detyruar sipas rregullave të UEFA-s, do të jetë Vllaznia-Apolonia.


Kjo ndeshje do të zhvillohet më datë 3 nëntor, në mbrëmje. Kjo do të jetë dhe ndeshja e parë ku tifozët do të kenë mundësinë të shikojnë nga afër një ndeshje në investimin më të madh të realizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit. Kështu, sfida e parë në “Arenën Kombëtare” do ta luajnë dy skuadra të futbollit të femrave, duke e bërë këtë sfidë mes tyre, një sfidë që do të mbetet në historinë e infrastrukturës së sportit shqiptar.


(Balkanweb)


Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb