Askush nuk e besoi në fillim, por sot befason gjithë botën dhe arrin të zgjidhet Presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke shënuar një moment historik. Manjati njujorkez i pasurive të paluajtshme, Donald Trump ka të drejtë të gëzohet me rezultatin e arritur plot 288 vota elektorale.

Trump mori në dorë Shtëpinë e Bardhë duke tejkaluar numrin e 270 votave elektorale, të nevojshme për presidencën. Kundërshtarja e tij, kandidatja demokrate Hillary Clinton, siç bën me dije rrjeti televiziv NBC e ka uruar me anë të telefonin Trump për fitoren.

Përveç marrjes së Shtëpisë së Bardhë, republikanët marrin kontrollin e Senatit dhe të Kongresit në Amerikë.

S’ka ndodhur kurrë që të zgjidhet president një njeri që nuk ka shërbyer më parë në qeverinë amerikane. Sot SHBA zgjodhi një njeri që një nga premtimet e tij është të ndërtojë një mur, mbi 20 vjet nga rrëzimi i murit të Berlinit.

FJALIMI I TRUMP
Para popullit amerikan Presidenti i ri amerikan Donald Trump është shprehur i emocionuar, ndërsa urimet ia ka shprehur edhe kandidatja demokrate Clinton, të cilën e ka falënderuar të parën. Ashtu siç janë edhe vetë SHBA-të, madhështore, i tillë ka qenë fjalimi i presidentit të sapozgjedhur amerikan.

FALËNDERIMI PËR HILLARY CLINTON: I KA SHËRBYER SHTETIT, I KEMI BORXH MIRËNJOHJEN
“Ju kërkoj falje që ju mbajtëm kaq gjatë, ishte një çështje e komplikuar. Sapo kam marrë një telefonatë nga sekretarja Clinton, ajo na përgëzoi ne të gjithë për fitoren dhe unë e përgëzova atë dhe familjen e saj për një fushatë të fortë, ku ka luftuar fortë. Hillary ka punuar për një kohë shumë të gjatë dhe i kemi një borxh mirënjohje për shërbimet për vendin tonë”.

“DO BASHKOJ DEMOKRATË E REPUBLIKANË”
“Tani ka ardhur koha kur Amerika të shërojë plagët e përçarjes mes demokratëve dhe republikanëve. Ka ardhur koha të mblidhemi së bashku si një popull i bashkuar.
Unë i betohem çdo qytetari se do të jem president për të gjithë amerikanët dhe kjo është e rëndësishme për mua. Për ata që kanë zgjedhur të mos më mbështesin mua, ka pasur disa, shumë pak, unë flas me ju, ju kërkoj të më ndihmoni të punojmë së bashku të bashkojmë këtë popull. E jona nuk ishte fushatë por një lëvizje e madhe, e jashtëzakonshme e përbërë nga m,miliona njerëz punëtorë që e duan vendin e tyre. Është lëvizje e të gjithë amerikanëve të të gjitha racave, feve që kanë besimin për t’i shërbyer kombit”.

DO RINDËRTOJMË VENDIN, MILIONA NJERËZ NË PUNË”
“Duke punuar së bashku ne do të fillojmë të rindërtojmë kombin tonë dhe të ribëjmë ëndrrën amerikane. E kam shpenzuar gjithë jetën në biznes duke parë potencialet e njerëzve, këtë dua të bëj për vendin tim. Ka një potencial të jashtëzakonshme. Çdo amerikan do ketë mundësinë të kuptojë potencialin e tij. Asnjeri nuk do të harrohet më në këtë vend. Ne do të rregullojmë qytetet tona të brendshme, do të rindërtojmë infrastrukturën tonë që do të bëhet puna e dytë. Do të fusim miliona njerëz në punë, teksa rindërtojmë vendin. Do të kujdesemi për veteranët tanë të mëdhenj, që kanë qenë kaq besnikë. Kam njohur disa prej tyre gjatë fushatës. Veteranët janë njerëz të mrekullueshëm. Kemi një plan të madh ekonomik, do të dyfishojmë rritjen, do të kemi ekonominë më të madhe në botë. Do të kemi marrëdhënie shumë të mira. Asnjë ëndërr nuk është aq e madhe, asnjë sfidë nuk është aq e madhe, Amerika do të kërkojë vetëm më të mirën. Duhet të rimarrim në dorë fatin e vendit tonë. Do të ëndërrojmë për gjëra të bukura dhe të suksesshme në vendin tonë”.

NJË POROSI PËR KOMUNITETIN BOTËROR
“Dua t’i them komunitetit botëror se nëse vendosim interesin amerikan në fillim, do të kemi marrëdhënie shumë të mira.
Dua të falënderoj prindërit e mi. Njerëz të mëdhenj, kam mësuar shumë prej tyre. Dua të falënderoj motrat e mia, janë këtu. Ku janë, janë shumë të turpshme. Dua të falënderoj vëllain tim, mikun tim më të mirë. Edhe vëllain tim që ka humbur jetën.
Melanian dhe Don dhe Ivanka dhe Erick dhe Tifaninë dhe Daren Më keni dhënë një mbështetje të jashtëzakonshme… Thoshit se ishim një staf i vogël, shihni sa grup i madh jemi. Kemi njerëz të jashtëzakonshëm, të talentuar. Ka qenë një kohë e veçantë. Dua të falënderoj ish-kreun e bashkisë së New York Rudi Guliani. Ai ka udhëtuar me ne, është i pabesueshëm. Ka qenë një ngjarje historike por për të bërë një punë të madhe duhet të punojmë shumë. Ju premtoj se nuk do t’ju zhgënjej kurrë.
Ndërsa fushata ka përfunduar, puna jonë në këtë lëvizje sapo ka nisur. Do të punojmë menjëherë për popullin amerikan dhe do të bëjmë një punë që ju të jeni krenar për presidentin tuaj. Është nderi im. Ka qenë një natë e mahnitshme. Përsëri, faleminderit!”

(m.k/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: