TIRANE- Federata e Futbollit e Shqipërisë (FSHF) ka vendosur datën 13 nëntor si datë për të luajtur miqësore në Prishtinë me Përfaqësuesen e Kosovës. Lajmi u bë i ditur nga Sekretari i Përgjithshëm i FSHF, Ilir Shulku. Ky i fundit bëri me dije se Shqipëria do zhvillojë dy miqësore brenda nëntorin edhe me Kosovën edhe me Gjeorgjinë. Ndeshja miqësore me Gjeorgjinë do të luhet më 16 nëntor.

Shulku bëri me dije se më 14 nëntor, FSHF do organizojë një mbrëmje gala për kualifikimin në Francë.

Më herët FSHF ka anuluar 17 nëntorin si datë të rezervuar për të luajtur miqësore në Prishtinë me Përfaqësuesen e Kosovës. Lajmi është bërë i ditur të martën nga zyrtarët e Federatës së Futbollit të Kosovës. Sipas njoftimit të FFK-­së, institucioni i futbollit në Shqipëri ka kërkuar që ndeshja me Kosovën të luhet më 13 nëntor, pasi pak ditë më vonë do të zhvillojë një tjetër miqësore në Elbasan, kundër Gjeorgjisë.

Njoftimi
“Ndeshja festive ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë ishte paracaktuar të zhvillohej më 17 nëntor, datë për të cilën FFK-­ja kishte lajmëruar FIFA-­n sipas rregullave, por me kërkesën e FSHF-së, e cila dëshironte të gjente edhe një kundërshtar për datat e lira, FFK­ja u pajtua që kjo ndeshje të zhvillohet më 13 nëntor, me kusht që të pranohet edhe nga FIFA. Në të kundërtën, ndeshja nuk do të zhvillohet në këtë datë dhe mbetet në vullnetin e FSHF-­së nëse dëshiron që kjo ndeshje të luhet më 17 nëntor”, thuhet në njoftimin e Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Presidenti
Edhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, është më i prerë. Ai tregon se Shqipëria më 16 nëntor do të luajë kundër Gjeorgjisë, prandaj ka anuluar ndeshjen me Kosovën për datën 17. Ka propozuar 13 nëntorin, një nga datat fillestare të lira nga UEFA. “Ne e kemi njoftuar FIFA­n se më 17 nëntor do të luajmë në Prishtinë kundër Shqipërisë. Dhe ne po presim një përgjigje që pritet të na vijë sot nga FIFA nëse do të lejojë ndërrimin e datës, pra që kjo ndeshje të luhet më 13 nëntor. Sa unë kam informata nga bisedimet me presidentin e FSHF­së, Shqipëria ka përcaktuar miqësore më Gjeorgjinë për datën 16 nëntor”, ka deklaruar Vokrri për “Koha Ditore”.

Ai nuk ka dashur të flasë nëse kjo ndeshje mund të dështojë. Për këtë ka thënë se duhet pyetur Federata Shqiptare e Futbollit. “Ne jemi të gatshëm. Nëse do të zhvillohet kjo ndeshje apo jo, duhet pyetur FSHF­ja”, është shprehur Vokrri. Kosova, ndeshjen e fundit miqësore e zhvilloi më 10 tetor kundër Guinesë Ekuatoriale në Prishtinë dhe fitoi me rezultatin 2­ 0. Ndërkohë, FSHF­ja nuk ka dhënë asnjë detaj për zhvillimet e fundit.

Nuk ka konfirmuar ende miqësoren me Gjeorgjinë, por as atë me Kosovën. Në Kombëtaren shqiptare aktivizohen mbi dhjetë lojtarë nga Kosova dhe roli i tyre për suksesin historik të Shqipërisë ka qenë i madh.

(el.sp/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: