Topi do të nisë të rrotullohet në fushat e blerta fundjavën e ardhshme! Njoftimin e ka bërë të ditur Federata Shqiptare e Futbollit, më konkretisht Sektori i Garave, i cili ka njoftuar klubet paraditen e sotme me vendimin e tij më të fundit për të rinisur aktivitetin pas ndërperjes për shkak të tërmetit tragjik që goditi Shqipërinë.

Kështu, java e 14-të do të luhet në dy ditë, të shtunën dhe të dielën. Ditën e shtunë janë në program tre ndeshje. Në orën 13:30 në stadiumin “Adush Muça” të Ballshit, Bylisi do të presë Partizanin, ndërsa në stadiumin “Gjirokastra”, Luftëtari do përballet me Vllazninë. Në “Selman Stërmasi” do zhvillohet kryendeshja mes Tiranës dhe Kukësit, takim i programuar për në orën 16:30.

Të dielën do të luhen dy sfidat e mbetura. Në Kurbin, Laçi do të presë Flamurtarin, sfidë që do nisë në orën 13:30, ndërsa në orën 16:30 në stadiumin “Niko Dovana”, do luhet dhe ndeshja fundit e kësaj jave, Teuta-Skënderbeu.

Ndërkohë ende nuk ka një njoftim zyrtar për javën e 15-të, javë që ka interes shumë të madh pasi luhet derbi i kryeqytetit, Partizani-Tirana, që është dhe sfida më e zjarrtë e futbollit shqiptar.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb