Nuk ka datë të saktë por Kosova merr përgjigje pozitive për vizat. Deri në fund të vitit pritet që kosovarët të lëvizin të lirë në zonën Schengen.

Komisioneri i BE-së për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos ka thënë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim të vizave.

Avramopoulus në një konferencë të përbashkët me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se ky proces ndonëse i vështirë ka shkuar në rrugë të mirë.

“Pas shumë vitesh e muajsh të përpjekjeve dhe punës së madhe, Komisioni tashmë konfirmon se Kosova i ka përmbushur të gjitha standardet për liberalizimin e vizave. Ne inkurajojmë Këshillin dhe Parlamentin Evropian që të lëvizin përpara me propozimin tonë. Unë vërtetë shpresoj se jemi shumë pranë një regjimi pa viza për të gjithë rajonin, i cili do të vendoset shumë shpejt”, tha Avramopoulos.

Ai ka thënë se përmbyllja e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi ka qenë hap i madh drejt liberalizimit. Lidhur me këtë, Avramopoulos i ka përshëndetur të gjitha partitë politike në Kosovë.
Komisioneri ka theksuar se tashmë liberalizimi i takon Parlamentit Evropian dhe Këshillit Evropian, meqë Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret.

“Mund të konfirmojmë se Kosova ka përfunduar të gjitha kriteret për liberalizim.Dua të uroj partitë e Kosovës për punën dhe përkushtimin në këtë process. Ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi ka qenë hap i madh drejt liberalizimit. Kjo marrëveshje Kosova ka treguar angazhim të plotë kundër krimit dhe korrupsionit. Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për vizat prandaj në këtë momente e kemi marrë parasysh këtë gjë. Kosova ka vazhduar t`i mbyllë të gjitha marrëveshjet tjera që në vitin 2016, tani është në duart e Parlamentit Evropian dhe Këshillit Evropian dhe i ikurajoj që ta bëjnë atë sa më shpejtë. Ksoova duhet të sigurojë reforma me kritere të caktuara. Kjo do të jetë në benificion të vet Kosovës. Jam i sigurt se do të vazhdojë në luftën kundër emigrimit ilegal dhe ka vënë në funksion masa të rëndësishme për ta arritur këtë qëllim”, ka thënë ai.

Më tej Avramopoulos ka thënë se autoritetet në Kosovë duhet patjetër t’i sqarojnë qytetarët se cilat janë rregullat e lëvizjes së lirë, përndryshe liberalizimi mund të pezullohet.

“Liberalizimi vjen me të drejta dhe detyrime. Autoritetet duhet t’ua tregojnë qytetarëve në mënyrë shumë të qartë, që të evitojnë abuzimin me lëvizjen e lirë. Nuk ka të bëjë vetëm me lëvizjen e lirë, ne kemi një atoritet të caktuat në BE dhe kjo ndihmon mbikëqyrjen e lëvizjes së lirë. Të gjithë qytetarët duhet t`i dinë të gjitha kriteret para se të nisen drejt këtij rrugëtimi. E kemi edhe mekanizmin për pezullimin kjo vlen edhe për Kosovën. Nga vizat do përfitojnë qytetarët e Kosovës që kanë të bëjnë me biznes apo turizëm, do të zgjerojë partneritetin me Kosovën. Ky është një fillim për bashkëpunim më të ngushtë”, ka përfunduar ai.

Avramopoulos shtoi se në takimin e kaluar kishte thënë se kishte disa milje të tjera për tu bërë por sot tha se janë vetëm disa kilometra distancë për liberalizimin e vizave.

Ndërkohë, siç kanë raportuar mediat, pas shpalljes së përfundimit të të gjitha kushteve për Kosovën nga Komisioni Evropian, gjatë muajve korrik-shtator pritet që Këshilli i Bashkimit Evropian të diskutojë për raportin e pozicionit negociues të Këshillit.

Diskutimet pritet të bëhen në Grupet Punuese për Ballkanin dhe ato për Punë të Brendshme.
Paralelisht me procedurën në Parlamentin Evropian mund të fillojnë edhe diskutimet në Këshill për të marrë mandatin për trialog.

Vendosjen në axhendë e bën Presidenca aktuale e BE-së. Në këtë pikë, shtetet anëtare mund të kërkojnë informacione shtesë nga Komisioni Evropian i cili duhet të mbrojë propozimin për liberalizim të vizave në bazë të argumenteve që janë dhënë gjatë procesit.

Pas kësaj, në muajin shtator pritet që Këshilli i Bashkimit Evropian ta miratojë pozicionin negociues të Këshillit.

Ky akt votohet në nivel të ambasadorëve dhe i nevojitet shumica e kualifikuar prej 55 %.
Po këtë muaj, pritet që të mbahet edhe diskutimi mes Komisionit Evropian, Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Bashkimit Evropian ku duhet të pajtohen për votimet përfundimtare.

Trialogun e fton Parlamenti Evropian por prezentë duhet të jenë të tri institucionet e lartpërmendura.
Pas këtij diskutimi, nëse dakordohen të tri institucionet, pritet që në fillim të muajit tetor të jetë votimi në seancë plenare të Parlamentit Evropian.

Pas votimit në Parlamentin Evropian që duhet të jetë me shumicë të thjeshtë, duhet të bëhet votimi në Komitetin e Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të BE-së në Bruksel (COREPER) që planifikohet të ndodhë në muajin tetor ose nëntor.

Vetëm një javë pas votimit nga ky Komitet, pritet që vendimi për liberalizimin e vizave për kosovarët të votohet përsëri nga Këshilli i Bashkimit Evropian, por tani në nivel të Ministrave të Brendshëm, që është edhe votimi përfundimtar.

Nëse nga këtu, ky proces merr dritën e gjelbër, gjatë periudhës nëntor – dhjetor, gjithçka mbetet është ceremonia e nënshkrimit dhe publikimi i vendimit në Gazetën Zyrtare dhe hyrja në fuqi.

Nëse dialogu i Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë përfundon në dhjetor, atëherë BE-ja do të zotohet për liberalizim të vizave në një afat sa më optimal, që mund të jetë janari i vitit 2019.

Në rast se kështu ndodh, pra dialogu përfundon me marrëveshje të pranuar nga të dyja palët, atëherë Parlamenti Evropian pritet që më së voni në shkurt, kur e mban edhe takimin e fundit, para zgjedhjeve të reja për institucionet e BE-së, të votojë për këtë çështje.

Por, po nëse diçka nuk ecën sipas planit, atëherë afat maksimal për lëvizjen e lirë pa viza, do të jetë 1 korriku, ndonëse me pikëpyetje.

Kjo pasi zgjedhjet për Parlamentin Evropian mbahen në maj, ndërsa konstituimi i institucioneve të reja bëhet tek në vjeshtë, që nënkupton vonim për liberalizim për Kosovën, por edhe vënie në mëdyshje të krejt procesit, pasi votimet mund të sjellin në pushtet, në BE, forca që janë kundër heqjes së vizave.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb