Kastrioti fiton, Kastrioti shpreson! Krutanët kanë mposhtur Skënderbeun me rezultatin 2-1 në një ndeshje të luftuar dhe u shkaktojnë korçarëve humbjen e gjashtë radhazi në kampionat. Nëse në Krujë ka shpresë për të shpëtuar nga rënia nga kategoria, në Korçë shpresojnë të shpëtojnë faqen që po nxihet humbje pas humbjeje.

Pragsfida është e tensionur. Një grup tifozësh krutanë godasin lojtarët e Skënderbeut kur këta sapo arritën në stadium. Drejtuesit vendosën që ndeshja të zhvillohej vetëm pasi u garantua siguria e tyre pas mbërritjes së forcave të rendit.

Pjesa e parë do të ketë raste për shënim, por jo gola, ndërsa emocionet e vërteta janë lënë të gjitha për në fraksionin e dytë. Ymeraj do të kalojë në avantazh të zotët e shtëpisë në minutën e 58-të pas një goditjeje të saktë me kokë. Skënderbeu do të rikthejë barazpeshën në minutën e 80-të, kur Krisiti Vangjeli shtyn në rrjetë topin pas një këmbëguljeje të gjatë të korçarëve në zonën krutane. Më pas nga një moment fantastik shënimi për secilën skaudër. Fillimisht Ymeraj godet traversën e Teqjes në të 86-ën, ndërsa një minutë më pas është Oto Xhon, që i pamarkuar, gjuan jashtë mbase golin e fitores.

Në kohën shtesë do të vijë dhe goditja e rëndë për Skënderbeun. Braziliani Roxher shpërthen në krahun e djathtë, driblon në zonë Alitin dhe Asanin, duke realizuar një gol mjaft të bukur, që vulosi fitoren e Kastriotit, që ngjitet në kuotën e 16 pikëve duke lënë në vendin e fundit Kamzën me 15 pikë. Skënderbeu nga ana tjetër mbetet me 30 pikë dhe kjo kuotë pikësh nuk ndryshon prej 6 ndeshjesh tashmë. Më 24 nëntor, Skënderbeu ka marrë pikën e fundit në barazimin 1-1 ndaj Tiranës. çka tregon qartë krizën e klubit korçar.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Kastrioti: Çekrezi, Husein, Shehi, Çela, Ndreca, Shehu, Ymeraj, Marku, Bardhi, Zhunior, Vatnikaj.

Trajner: Bledar Devolli

Skënderbeu: Teqja, Aliti, Abazi, Radas, Vangjeli, Pervan, Taipi, Toskiç, Gripshi, Hoxhaj, Krasniqi.

Trajner: Orges Shehi

Kujtojmë që një grup tifozësh të pranishëm në mënyrë të paautorizuar në rrethinat stadiumit “Redi Maloku”, kanë dhunuar Kristi Vangjelin, Oto Xhon dhe Idriz Toskiç.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb