SHBA- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në Mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore në Uashington.

Gjatë takimeve me drejtuesit e lartë të këtyre institucioneve, Guvernatori Sejko, tha se zbatimi politikës monetare stimuluese nga Banka e Shqipërisë ka mbështetur rritjen e ekonomisë, të punësimit e pagave, si dhe të inflacionit.

Inflacioni po kthehet gradualisht në nivelin e synuar dhe parashikohet të kthehet në objektiv brenda vitit 2019.

Në kuadër të hapave që duhen ndërmarrë për të përshpejtuar aktivitetin e ardhshëm ekonomik të vendit, Guvernatori Sejko theksoi se Banka e Shqipërisë është e angazhuar për të dhënë të gjithë mbështetjen e duhur, nëpërmjet vazhdimit të stimulit monetar.

Gjatë diskutimeve, Guvernatori nënvizoi se për forcimin e stabilitetit makroekonomik të vendit dhe për sigurimin e një rritjeje të qëndrueshme mbetet jetik bashkërendimi në vazhdimësi i politikës monetare me atë fiskale.

Lidhur me sistemin bankar në vend, Sejko u shpreh se sistemi karakterizohet nga tregues të mirë financiarë, megjithatë vuri theksin se nxitja e kreditimit dhe vijimi me planin e masave për reduktimin e kredive me probleme, mbetet një ndër angazhimet e Bankës së Shqipërisë në të ardhmen.

Një tjetër çështje me rëndësi e diskutuar ishte angazhimi i Bankës së Shqipërisë në bashkëpunimin me institucionet e tjera në vend, për stimulimin e përdorimit të monedhës kombëtare. Guvernatori theksoi se qëllimi kryesor i këtij angazhimi është përmirësimi i efektivitetit të politikës monetare dhe ulja e rreziqeve për stabilitetin financiar dhe politikën fiskale.

Përfaqësuesit e lartë të Fondit dhe Bankës Botërore vlerësuan pozitivisht rolin dhe politikën e ndjekur nga Banka e Shqipërisë, në zhvillimin makroekonomik dhe stabilitetin financiar të vendit. Ata theksuan se Shqipëria duhet të përfitojë nga trendi i rritjes ekonomike, stabiliteti financiar dhe sistemi i sigurt financiar, për të tërhequr investime të huaja, në mënyrë që kjo rritje ekonomike të jetë e shëndetshme në afat të gjatë.

Gjatë takimeve, përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së, përshëndetën rekomandimin pozitiv të dhënë nga Komisioni Europian për çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Ata u shprehën se për të përmirësuar ambientin e biznesit dhe për të ecur përpara në procesin e integrimit, mbetet i një rëndësie të veçantë vazhdimi i reformave strukturore në vend.

Në kuadër të këtyre mbledhjeve, Guvernatori Sejko mori pjesë edhe në seancën plenare të Komitetit Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar të FMN-së, si dhe në Forumin Ekzekutiv të organizuar nga Banka Botërore për politikëbërësit dhe zyrtarët e lartë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb