TIRANE- Pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama dje për 613 kg kokainë të kapura pak kohë më parë në Maminas ishin të implikuar zyrtarë të lartë të PD, vjen reagimi nga selia blu.

Deputeti i Partisë Demokratike Gent Strazimiri në një dalje publike hodhi poshtë akuzat e Ramës, ndërsa theksoi se ata që fshihen pas kësaj, siç janë edhe për laboratorin e Xibrakës, janë Genci Xhixha, Ermal Hoxha dhe Olsi Rama. Mes të tjerash ai i bëri thirrje se nëse këta emra janë pjesë e PD, Rama duhet t’i arrestojë.

“Për të mbrojtur veten dhe vëllezerit Xhafaj, Edi Rama është vënë në krye të një skenari kriminal mashtrimesh, manipulimesh dhe kërcënimesh kundër çdo denoncuesi të krimit me lidhje qeveritare. Njësoj si me ekspertizën e zërit të Agron Xhafajt, duke bërë prokurorin, Edi rama hodhi mashtrimin e rradhës për drogën e Maminasit. Siç e dinë të gjithë shqiptarët, Partia Demokratike nuk mbron kriminelët. Kokaina e Xibrakës dhe kokaina e Maminasit, trafiku dhe laboratorët e kokainës në Shqipëri janë të Genci Xhixhës, Ermal Hoxhës, Olsi Ramës dhe shokëve të tij. Edi Rama, nëse secilin prej tyre i ke në Partinë Demokratike, je i lutur të vish tani, sot, dhe t’i arrestosh! Por e vërteta është se vetë i ke përcjellë në Kubë, Kolumbi e kudo tjetër me policët e tu narkotrafikantë të shpallur në kërkim, me dy ministrat e tu të brendshëm të lidhur me drogën dhe me vëllain tënd. Partia Demokratike nuk është Partia Socialiste.

Ndryshe nga Edi Rama dhe PS, për ne droga është kanceri që po vret Shqipërinë. Ka vetëm një rrugë për hapjen e negociatave: lufta kunder drogës dhe krimit, kunder kapjes së shtetit nga xhafajt, habilajt tahirët, nga Edi Rama dhe shpura e tij mafioze. Shqipëria nuk mund të sakrifikohet për Sajmir Tahirin, vëllezërit Xhafaj, vëllezërit Habilaj dhe vëllezerit Rama. Ftojmë të gjithë shqiptarët të bashkohen të shtunën me 26 maj në ora 11 në protestën kombëtare për Shqipërinë e çliruar nga qeveria e lidhur me krimin, për drejtësinë e barabartë për të gjithë, për Shqipërinë si gjithë Europa!”, tha Strazimiri.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: