KOSOVË- Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç ka bërë një fjalim me tone fortë sot para serbëve të Kosovës në Mitrovicë, duke theksuar se për Serbinë Kosova s’do jetë kurrë e pavarur dhe as pjesë e Shqipërisë së Madhe. Para arrestimit nga policia e Kosovës, pasi shkeli ndalesën e lëshuar nga qeveria kosovare, Gjuriç tha se pa serbët e Kosovës nuk ka zgjidhje për këtë vend.

Me të mbërritur të zyrtarëve nga Beogradi, në Mitrovicë Veriore ka nisur, siç është thënë, tryeza e rrumbullakët për dialogun e brendshëm për Kosovën, me temën “Forcimi dhe mbijetesa e institucioneve serbe në Kosovë”.

“Ne kemi ardhur sot këtu në Mitrovicë ashtu siç edhe kemi premtuar, ashtu siç jemi marrë vesh para disa ditësh, kur me nismën e Vuçiç, kemi bërë thirrje për këtë tryeze të rrumbullakët, në mënyrë që me serbët e Kosovës të bisedojmë për të ardhmen e vendit tonë”, ka thënë Gjuriç, në hapje të takimit.
“Pa ju, pa serbët e Kosovës, nuk ka zgjidhje për Kosovën. Për Serbinë, Kosova, veriu i Kosovës, nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë pjesë e të ashtuquajturës Kosovë e pavarur e as pjesë e të ashtuquajturës Shqipëri e madhe”, ka thënë Gjuri.

Ndërkaq, Nikola Selakoviç u ka bërë thirrje të tubuarve që të shfaqin mendimet e tyre për atë se si e shohin luftën e mëtutjeshme të autoriteteve serbe për Kosovën.

“Pikërisht kështu siç ne, sot, nuk kemi hequr dorë, pavarësisht të gjitha kërcënimeve, ndalesave, kordonëve dhe kontrolleve, pikërisht ashtu siç nuk kanë mundur të na ndalin dhe ashtu siç nuk kemi hequr dorë që të vijmë, ashtu nuk do të heqim dorë as nga lufta jonë për të kërkuar zgjidhjen, e cila serbët dhe Serbinë nuk i shkatërron dhe nuk i poshtëron”, ka thënë Sallakoviç.

Kurse kryetari i komunës së Mitrovicës Veriore, Goran Rakiç ka ftuar presidentin e Serbisë që të fillohet me formimin e njëanshëm të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke theksuar se shqiptarët (institucionet e Kosovës) nuk janë në gjendje që ta kryejnë këtë punë.

“Ftoj qeverinë dhe presidentin e Serbisë që të na ndihmojnë që ta ruajmë këtë liri tonën, kurse Prishtinën e porosisim që të mos na kërcënojë dhe dhunë”, ka thënë Rakiç.

Paraprakisht nga Ministria e Jashtme të Kosovës ishte konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se kjo ministri u kishte refuzuar kërkesën për vizitë të drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç dhe sekretarit të përgjithshëm të presidentit të Serbisë, Nikolla Sellakoviç. Sipas Zyberaj, ndalesa është aplikuar për shkak të “deklaratave që nxisin tensionim të situatës”.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli ka deklaruar se ndalesa që i është vënë vizitës së Gjuriçit dhe zyrtarëve tjerë serb ndërlidhet me deklaratat e tyre nxitëse dhe mos përfilljen e marrëveshjes për vizitat reciproke.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: