Britania nuk do të vendosë tarifa hakmarrëse tregtare në përgjigje të detyrimeve amerikane për të gjitha importet e çelikut dhe aluminit, të cilat do të hyjnë në fuqi ditën e sotme, tha një zyrtar i qeverisë britanike.
Ndërsa Bashkimi Evropian planifikon të kundërpërgjigjet ndaj tarifave prej 25% të SHBA-së për importet e metaleve, zyrtari – i cili kërkoi të mos identifikohej – tha se Britania do të vazhdojë të angazhohet me SHBA-në në një përpjekje për të siguruar një përjashtim.
Zëdhënësi zyrtar i kryeministrit Keir Starmer tha të hënën se Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA kishin një marrëdhënie të fortë ekonomike e cila “bazohej në tregtinë e drejtë dhe të balancuar, reciproke”.
Presidenti i SHBA Donald Trump tha gjatë një vizite të Starmer në Shtëpinë e Bardhë muajin e kaluar se administrata e tij dhe Britania do të negociojnë një marrëveshje tregtare që mund të ndihmojë në shmangien e tarifave të SHBA.
Ministri i Tregtisë i Britanisë, Jonathan Reynolds, bëri kërkesën për një përjashtim nga tarifat ndaj Sekretarit të Tregtisë së SHBA, Howard Lutnick në një telefonatë të fundit.
Shtetet e Bashkuara përbëjnë rreth 5% të eksporteve të çelikut në Mbretërinë e Bashkuar dhe 6% të eksporteve të aluminit , sipas të dhënave të qeverisë britanike.
Eksportet e çelikut të Mbretërisë së Bashkuar në Shtetet e Bashkuara kanë vlerë mbi 400 milionë paund (518 milionë dollarë) në vit, sipas organit të industrisë UK Steel, i cili ka thënë se vendosja e tarifave amerikane “do të ishte një goditje shkatërruese për industrinë tonë”.
(A.A/BalkanWeb)